1 Zoti foli me Moisiun e tha:
2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju:
Njeriu që bëri kusht dhe i kushtoi Zotit një njeri, për ta shpërblyer, le ta japë çmimin sipas vlerësimit:
3 për mashkull, njëzet deri në gjashtëdhjetë vjeç, le të japë pesëdhjetë sikla argjendi ‑ sipas masës së shenjtërores;
4 për femër, tridhjetë;
5 për mashkull pesë deri në njëzet vjeç, le të japë njëzet sikla; për femër dhjetë;
6 për mashkull, një muajsh deri në pesë vjeç, le të jipen pesë sikla; për femër tre;
7 mashkulli gjashtëdhjetëvjeçar e përpjetë, le të japë pesëmbëdhjetë sikla, femra, dhjetë;
8 Në qoftë se është i varfër dhe nuk mund ta paguajë vlerën, le ta sjellë para priftit dhe sa të çmojë ai se është i zoti të japë, aq le të japë”.
9 “Nëse ndokush kushton një kafshë të pastër që mund t’i flijohet Zotit, do të jetë gjë e shuguruar
10 dhe nuk mund të ndërrohet, d. m. th. as e keqja me të mirën, as e mira me të keqen. Po qe se ndokush e ndërron, atëherë edhe ajo që u ndërrua dhe ajo me të cilën ndërrohet, do të jenë të dyja të shuguruara Zotit.
11 Nëse ndokush e bën kusht një kafshë të papastër që nuk mund t’i flijohet Zotit, le të sillet para priftit,
12 i cili le ta vlerësojë qoftë lirë qoftë shtrenjtë, le t’i rrijë çmimit që ai të caktojë.
13 E nëse, ai që e kushtoi, dëshiron ta shpërblejë, le t’i shtojë çmimit të pestën pjesë”.
14 “Nëse ndokush e bën kusht shtëpinë e vet si gjë të kushtuar Zotit, prifti le ta vlerësojë a është e mirë ose e keqe e le t’i rrihet vlerësimit që prifti t’i bëjë.
15 Por, nëse ai që e bëri kusht dëshiron ta shpërblejë, le të shtojë përmbi çmim të pestën pjesë e le t’i mbesë shtëpia”.
16 “Po qe se e bëri kusht arën e pronës së vet dhe ia ka shenjtëruar Zotit, çmimi le t’i vlerësohet sipas masës së mbjelljes: nëse toka mbillet me tridhjetë homer elb, le të çmohet pesëdhjetë sikla argjendi.
17 Nëse e kushtoi tokën menjëherë pas vitit jubilar, le të çmohet aq sa të vlejë sipas këtij vlerësimi.
18 Por, nëse kushtohet pas një kohe të caktuar, prifti le t’ia caktojë shumën e parasë sipas numrit të viteve që mbesin deri në jubile, duke zbritur numurin e viteve të mëparshme.
19 Po qe se ai që e kushtoi tokën do ta shpërblejë, le ta shtojë të pestën e vlerës përmbi çmim, e le ta ketë.
20 Po nëse nuk do ta shpërblejë, por ia shet një tjetri, kushdo ai qoftë, nuk do të mund të shpërblehet më;
21 por, kur të vijë dita e jubileut, do të jetë gjë e shuguruar Zotit si arë e kushtuar ‘për sosje’: do të bëhet pronë e priftit.
22 Po nëse i bëhet kusht Zotit një arë e blerë, që nuk është nga prona e të parëve,
23 prifti le t’i caktojë çmimin sipas numrit të vjetëve deri në jubile dhe po atë ditë le ta paguajë çmimin si gjë të shuguruar Zotit.
24 Në vitin e jubileut toka le t’i kthehet pronarit të mëparshëm që e pati shitur, atij prona e të cilit ishte trashëgim.
25 Të gjitha vlerësimet le të bëhen në sikla të Shenjtërores. ‑ Sikli vlen njëzet gera”.
26 “Askush s’mund t’ia shugurojë Zotit me kusht të parëlindurin e kafshëve, që edhe ashtu i përket Zotit: qoftë bagëti e trashë qoftë e imët, i përket Zotit.
27 Nëse është prej kafshëve të papastra, le ta shpërblejë ai që e kushtoi sipas çmimit dhe le ta shtojë të pestën e çmimit; nëse nuk do ta shpërblejë, le të shitet sa është vlerësuar”.
28 “Porse asnjë gjë qi i është kushtuar Zotit “për sosje” prej pronës së ndokujt dhe i është shuguruar atij: qoftë ai njeri, kafshë ose arë, as s’mund të blehet as s’mund të shpërblehet; çdo gjë që t’i jetë shuguruar njëherë Zotit, do të jetë gjëja më e shenjtë në nder të Zotit.
29 Dhe çdo njeri që të jetë bërë kusht “për sosje”, të mos shpërblehet, por të vritet”.
30 Për bagëti merrej e dhjeta vetëm e kafshëve të pastra. “Të gjitha të dhjetat e tokës qofshin drithëra ose fruta të pemëve, i përkasin Zotit, gjë e shenjtë në nder të Zotit.
31 Nëse ndokush dëshiron të shpërblejë ndonjë pjesë të dhjetave të veta, le të shtojë përmbi të të pestën pjesë.
32 Të gjitha të dhjetat: lopë, dele, dhi, që kalojnë nën shkopin e bariut, d. m. th. çdo e dhjeta, le të jetë e shuguruar Zotit.
33 Mos të shikohet a është e mirë apo e keqe, dhe të mos ndërrohet me tjetër; po qe se ndokush e ndërron, atëherë ajo që u ndërrua dhe ajo me të cilën ndërrohet, le jetë e shuguruar Zotit dhe të mos shpërblehet”.
34 Këto janë urdhërimet që Zoti ia dha Moisiut në malin Sinai për bijtë e Izraelit.