< Lev 1 Lev 3 >
Lexim prej librit të Levitikut(Lev 2)
2

1 “Kur ndokush dëshiron t’i kushtojë Zotit fli bimore, kushti i tij le të jetë prej më të mirit miell, le ta njomë me vaj e le t’i qesë kem.

2 Le t’ua sjellë priftërinjve, bijve të Aronit. Prifti le ta mbushë grushtin me asi mielli të njomur me vaj, le ta marrë tërë kemin e le ta djegë të tërin në lter si fli përkujtuese: është fli e bërë shkrumb në zjarr, erë tejet e mirë për Zotin.

3 Aq sa tepron prej flisë, i takon Aronit dhe bijve të tij: pjesë tejet e shenjtë, që vjen prej flive të shkrumbuara në zjarr, në nder të Zotit.

4 Nëse dëshiron të kushtosh fli bimore kushtimore, në nder të Zotit, të pjekur në furrë, le të jenë këto bukë prej më të mirit miell, pa tharm të njomura me vaj e pite të pabrume të lyera me vaj.

5 Nëse dhurata jote do të jetë fli kushtimore e pjekur në tepsi, le të jetë prej më të mirit miell, të njomur me vaj, por pa tharm.

6 Ndaje në copa dhe njome me vaj: kjo është fli kushtimore mielli.

7 Po qe se kushton fli bimore të gatitur në fultere, le të jetë prej më të mirit miell të përgatitur me vaj.

8 Sille flinë kushtimore të kushtuar Zotit të përgatitur me këto gjëra dhe jepja në dorë priftit,

9 i cili le ta vendojë në lter, le ta ndajë nga flia kushtimore pjesën si fli përkujtuese e le ta djegë mbi lter: fli të shkrumbuar në zjarr, erë e këndshme për Zotin.

10 Gjithë sa të teprojë, i takon Aronit dhe bijve të tij: pjesë tejet e shenjtë që vjen prej flive të shkrumbuara në zjarr në nder të Zotit.

11 Çdo fli kushtimore bimore që do t’i kushtoni Zotit, le të jetë pa tharm, sepse nuk guxoni të digjni as tharm as mjaltë si fli shkrumbimi.

12 Edhe këto mund t’ia kushtoni Zotit si fli frytesh të para, por s’do të vihen assesi në lter si erë e këndshme.

13 Kripe secilën fli kushtimore bimore. Mos e lër flinë tënde kushtimore bimore pa kripë të Besëlidhjes me Hyjin tënd: me çdo fli kushtimore bimore kushto edhe kripën.

14 Nëse i kushton Zotit flinë e fryteve të para, kushtoji kallinj të fërguar në zjarr e miell prej kokrrave të bluara trashë të fryteve të para të tua,

15 njomi me vaj e qitu kem: kjo është fli kushtimore bimore.

16 Prifti le ta djegë një pjesë si fli përkujtuese, një pjesë të kokrrave të bluara, e pak vaj dhe tërë kemin.”



Fjala e Zotit