< Lev 9 Lev 11 >
Lexim prej librit të Levitikut(Lev 10)
10

1 Tashti, Nadabi e Abihui, bijtë e Aronit, i morën kemoret e veta, qitën në to zjarr e, përmbi zjarr, temianin e kushtuan në praninë e Zotit zjarr të pashuguruar, që Zoti nuk ua kishte urdhëruar.

2 Por, prej pranisë së Zotit doli zjarri dhe i përpiu ‑ e ata vdiqën të dy në praninë e Zotit.

3 Moisiu i tha Aronit: “Ja, ç’do të thotë ajo që tha Zoti:

‘Në ata që më afrohen,

dua të jem i shenjtëruar,

dhe në sy të mbarë popullit

dua të jem i lavdëruar’”.

Aroni s’bëri vër me gojë.

4 Moisiu i thirri Misaelin dhe Elsafanin, bijtë e Ozielit, ungjit të Aronit, e u tha: “Shkoni e merrni vëllezërit tuaj prej Shenjtërores dhe çoni jashtë zemërimiës”.

5 Ata u afruan e menjëherë i morën ashtu siç ishin të veshur me këmishat e tyre e i qitën jashtë siç u qe urdhëruar.

6 Pastaj Moisiu i tha Aronit, Eleazarit e Itamarit, bijve të tij: “Mos i shprishni flokët tuaj, as mos i shqyeni petkat që të mos vdisni e të mos e sillni hidhërimin mbi mbarë bashkësinë. Vëllezërit tuaj dhe mbarë Shtëpia e Izraelit le t’i qajnë ata që i dogji zjarri, të cilin e ndezi Zoti.

7 Mos u largoni e mos dilni jashtë derës së Tendës së takimit, ndryshe do të vdisni, sepse në ju është vaji i shugurimit të Zotit”.

Ata bënë gjithë si urdhëroi Moisiu.

8 E Zoti i tha Aronit:

9 “Verën e çdo pije që mund të dehë, mos e pi ti as bijtë e tu kur hyni në Tendën e takimit. Kështu nuk do të vdisni. Është ligj i përhershëm për ju brez pas brezi;

10 që të jeni në gjendje ta dalloni sendin e shuguruar prej të thjeshtit, të pastrin prej të papastrit

11 e t’ua mësoni bijve të Izraelit të gjithë ligjet e mi që Zoti ua dha nëpër Moisiun”.

12 Atëherë Moisiu i tha Aronit dhe bijve të tij që mbetën gjallë, Eleazarit e Itamarit: “Prej flisë kushtimore bimore merrni sa tepron pasi të jenë bërë flitë e djegura në nder të Zotit, dhe hajeni të pabrume pranë lterit, sepse është gjë tejet e shenjtë.

13 Hajeni në vendin e shuguruar, sepse kjo është pjesa që të është dhënë ty dhe bijve të tu prej flive të djegura në nder të Zotit ‑ kështu më qe dhënë urdhri.

14 Kurse gjoksin e flisë së lartësimit dhe shpatullën e flisë së ritit të ndihmesës hajeni në një vend të pastër ti e bijtë e tu e bijat e tua me ty, sepse këto janë ndihmesë dhënë ty e fëmijëve të tu prej flive të pajtimit të izraelitëve.

15 Shpatullën e gjoksin le ta sjellin bashkë me pjesët e dhjamit që do të digjen, që këto të kushtohen me ritin e lartësimit para Zotit; dhe janë pjesë që të përkasin ty dhe bijve të tu. Është ligj i përhershëm, siç urdhëroi Zoti”.

16 Atëherë Moisiu kërkoi të dijë si u flijua cjapi i flisë së mëkatimit, mori vesh se e kishin djegur. U hidhërua në Eleazarin e Itamarin, bijtë e Aronit, që kishin mbetur gjallë, e tha:

17 “Pse nuk e hëngrët flinë e mëkatimit në vendin e shuguruar? Ajo është gjë tejet e shenjtë dhe Zoti jua dha për t’ia hequr mëkatin bashkësisë e që të kryhet mbi të riti i zgjidhjes në praninë e Zotit,

18 sidomos pasi nuk është shpënë gjaku i saj brenda në Shenjtërore, është dashur ta kishit ngrënë në Shenjtërore, si më qe urdhëruar”.

19 Aroni u përgjigj: “Sot, ja, u kushtua flia e mëkatimit dhe flia e shkrumbimit e tyre para syve të Zotit. Por, ti po sheh se çka më ndodhi! Si munda ta ha e t’i pëlqeja Zotit”?

20 Kur Moisiu i dëgjoi këto fjalë, e pranoi arsyetimin.



Fjala e Zotit