1 Zoti e thirri Moisiun dhe, prej Tendës së takimit, iu drejtua me këto fjalë:
2 “Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: Kur ndokush prej jush ka në mendje t’ia kushtojë Zotit ndonjë fli prej bagëtive shtëpiake, mund t’i kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta.
3 Nëse kushti i tij është prej bagëtive të trasha për fli shkrumbimi, le të kushtojë mashkull pa të meta. Le ta kushtojë te dera e Tendës së takimit për ta fituar përkrahjen e Zotit.
4 Le ta vërë dorën e vet mbi krye të flisë, e kështu do të jetë e pëlqyeshme dhe do t’i vlejë kushtuesit për shpërblim.
5 Le ta therë mëzatin në praninë e Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, le ta kushtojnë gjakun e tij e le ta qesin të rrjedhë në rrethin e lterit që është në hyrje të Tendës së takimit.
6 Kushtuesi le ta rrjepë e le ta ndajë në pjesë.
7 Bijtë e Aronit, prift, le ta vënë zjarrin në lter e le t’i vënë drutë mbi zjarr.
8 Atëherë le t’i vënë rende‑ rende pjesët përmbi dru që janë në zjarr mbi lter, me kokë e me dhjamë.
9 Kushtuesi le t’i lajë me ujë rropullitë dhe këmbët e pastaj prifti le t’i djegë e t’i bëjë shkrumb mbi lter si fli shkrumbimi, fli e shkrumbuar në zjarr, erë e këndshme në nder të Zotit.
10 Nëse është fjala se do të kushtojë fli shkrumbimi një nga bagëtitë e imëta ‑ dele ose dhi ‑ duhet të kushtojë mashkull e të pa të metë.
11 Le ta presë para Zotit në krahun e veriut të lterit. Gjakun e tij le ta derdhin bijtë e Aronit, priftërinjtë, gjithreth lterit.
12 Kushtuesi le ta ndajë në pjesë, kurse prifti kokë e dhjamë le t’i vërë mbi dru që janë të vëna në zjarr mbi lter.
13 Kushtuesi le t’i lajë me ujë rropullitë e këmbët e atëherë prifti le t’i kushtojë të gjitha dhe le t’i djegë në lter: është fli shkrumbimi, fli e djegur në zjarr, erë e këndshme për Zotin.
14 Nëse dëshiron t’i kushtojë Zotit si fli shkrumbimi shpendë, atëherë le të kushtojë turtull ose pëllumb.
15 Prifti le ta sjellë te lteri, t’ia përdredhë qafën, t’ia këpusë kokën e ta djegë në lter, kurse gjakun e tij t’ia shtrydhë në anë të lterit.
16 Le t’ia dëlirë puplat e t’ia heqë gushën dhe ercokun e le t’i qesë në anën e lindjes të lterit në vendin e mbeturinave, aty ku hidhet hiri.
17 Le ta shpojë ndërmjet krahëve, por mos ta ndajë dhe prifti le ta djegë në lter duke e vënë përmbi drurët që janë në zjarr: është fli shkrumbimi, erë e këndshme për Zotin”.