1 Kujtoje Krijuesin tënd
në ditët e rinisë sate,
para se të vijë koha e vuajtjeve
e të afrohen ditët për të cilat të thuash:
“Jo, nuk më pëlqejnë më!”;
2 para se të errësohen
dielli e drita e hëna e yjet,
e të kthehen retë pas shiut;
3 kur të përkulen rojëtarët e shtëpisë
e të gërnusen trimat e fortë,
të papunë të mbeten bluesit pse të rralluar,
të errësohen shikuesit nëpër vrima,
4 të mbyllet dera nga jashtë
e bluesit nën zë
e të ngriten zogjtë për të cicëruar
e kur të meje këndimi i këngëve.
5 Atëherë do të tmerrojnë përpjetetë,
frikë do të shtjerë udhëtimi.
Do të lulëzojë bajamja,
zvarrë do të hiqet karkaleci
e do të shkatërrohet kaperi,
sepse njeriu do të fillohet në shtëpinë e amshimit të vet.
Vajtuesit do të enden në sheshe.
6 Para se të këputet litari i argjendtë
e të copëtohet kandili i artë,
të thyhet katrova në krua,
të copëtohet qostra përmbi cisternë
7 e të kthehet pluhuri në tokën e vet nga erdhi
e shpirti të kthehet tek Hyji që e dha.
8 Kotësi kotësish,
‑ thotë Kishtari ‑
e gjithçka kotësi.
9 Meqenëse ishte shumë i urtë, Kishtari për më tepër popullit i mësoi dijen; ai peshoi, shqyrtoi dhe përftoi shumë fjalë të urta.
10 Kishtari u kujdesua të gjejë thënie të përshtatshme dhe shkroi me përpikëri fjalë të vërteta.
11 Fjalët e të urtëve janë si hostenë, porsi gozhda të ngulura shkrimtarët e përmbledhjeve: ato u dhanë nga një bari i vetëm.
12 Sa për ato që janë më tepër se kjo, biri im, as mos i kërko: të bëhen shumë libra s’ka asfarë qëllimi e përsiatja e vazhdueshme është mundim i trupit.
13 Përfundimi i bisedimit, pasi u dëgjuan të gjitha:
Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tija; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu.
14 E njëmend, Hyji do t’i qesë në gjyq të gjitha veprat e fshehta qofshin ato të mira ose të këqija.