< Kol 3 1Sel 1 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve(Kol 4)
4

1 Ju zotërinj, jepuni skllevërve çka u përket me të drejtë dhe me drejtësi, të vetëdijshëm se edhe ju e keni Zotërinë në qiell.

Porositë

2 Qëndroni në lutje; rrini zgjuar në lutje duke falënderuar!

3 Gjithashtu lutuni edhe për ne që Hyji të na e hapë një fushë predikimi të lirë që të mund ta kumtojmë misterin e Krishtit, për shkak të të cilit jam ndër pranga

4 dhe që ta shpall ashtu si e kam për detyrë të flas.

5 Silluni me urti ndaj atyre që nuk janë të krishterë; shfrytëzojeni rastin sa më mirë!

6 Fjala juaj të jetë gjithmonë e ëmbël, plot urti. Të dini t’i përgjigjeni gjithkujt si duhet.

Përshëndetjet e fundit

7 Se si gjendem unë ‑ do t’ju tregojë Tihiku, vëllai i dashur, ndihmësi besnik dhe shërbëtor në Zotin bashkë me mua.

8 Po e dërgoj veçanërisht për t’ju njoftuar mbi gjendjen tonë dhe për të ngushëlluar zemrat tuaja.

9 Po e dërgoj bashkë me Onezimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është bashkëvendasi juaj: ata do t’ju tregojnë si qëndron puna këtu.

10 Ju bën të fala Aristarku që është i burgosur bashkë me mua. Gjithashtu edhe Marku, nipi i Barnabës [për të cilin ju patëm urdhëruar, që, nëse do të vijë, t’i bëni pritje të mirë].

11 Ju bën të fala edhe Jezusi që quhet Just. Këta janë të vetmit që, prej të rrethprerëve, bashkëpunojnë me mua në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit. Këta qenë për mua një ngushëllim.

12 Ju bën të fala edhe Epafri, bashkëvendasi juaj, shërbëtor i Krishtit [Jezus]; ky gjithmonë lufton me lutje për ju, që të qëndroni të përsosur dhe të patrandshëm në plotësimin e vullnetit të Hyjit.

13 Unë dëshmoj për të se kujdeset së tepërmi për ju, për ata në Laodice dhe në Hierapolis.

14

Ju bën të fala edhe Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.

15 Përshëndetni vëllezërit në Laodice si dhe Nimfën dhe kishën që bashkohet në shtëpinë e saj.

16 E, kur kjo Letër të lexohet ndër ju, kujdesohuni që të lexohet edhe në Kishën e laodicenjve, po ashtu edhe ju kujdesohuni ta lexoni atë të Laodicesë.

17 Thuajini Arkipit: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin dhe plotësoje si duhet!”

18 Të fala me dorën time ‑ të Palit.

Mos i harroni prangat e mia!

Hiri qoftë me ju!



Fjala e Zotit