< Fil 4 Kol 2 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve(Kol 1)
1

1 Pali, për vullnet të Hyjit apostull i Krishtit Jezus, edhe vëllai Timote:

2 shenjtërve që janë në Kolos, vëllezërve besimtarë në Krishtin:

Hyji, Ati ynë, ju dhëntë hir e paqe!

Pali falënderon Hyjin për kolosianët

3 E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe lutemi vazhdimisht për ju,

4 sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve,

5 për arsye të shpresës që ruhet për ju në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së të vërtetës ‑ Ungjillit,

6 që arriti te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet, si në mbarë botën, ashtu edhe ndër ju, që prejditës kur dëgjuat dhe e njohët hirin e Hyjit me anë të së vërtetës,

7 ashtu si e keni mësuar prej Epafrit të dashur, shokut tonë në shërbesë. Ai na zëvendëson ndër ju si mbarështues besnik i Krishtit.

8 Ai edhe na njoftoi për dashurinë tuaj në Shpirtin Shenjt.

Personi dhe vepra e Krishtit

9 Prandaj edhe ne, që atë ditë, kur morëm vesh për këtë gjë, nuk pushojmë së luturi për ju dhe të kërkojmë prej Hyjit të fitoni me çdo urti e kuptim shpirtëror njohurinë e plotë të vullnetit të tij,

10 që të jetoni në mënyrë të denjë për Zotin dhe t’i pëlqeni Atij plotësisht, duke dhënë fryte veprash të mira dhe duke përparuar në njohurinë e Hyjit,

11 që të forcuar me çdo fuqi si i përgjigjet pushtetit të Hyjnisë së tij, të jeni të fortë e të durueshëm në çdo provë, që me gëzim

12 ta falënderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

13 Ai na nxori

nga pushteti i errësirës

dhe na kaloi

në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,

14 në të cilin kemi shpërblimin

‑ faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm,

i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.

16 Sepse në Të u krijua çdo gjë

në qiell e në dhe,

çka shihet e çka nuk shihet:

qoftë Fronet, qoftë Zotërimet,

qoftë Principatat, qoftë Pushtetet

‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

17 Ai është para çdo gjëje

dhe çdo gjë qëndron në Të.

18 Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës;

Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit

‑ që të jetë në gjithçka i Pari.

19 Sepse Hyjit i pëlqeu

të banojë në Të e tërë Plotësia

dhe, me anë të Tij,

20 ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] ‑

të pajtojë me vete gjithçka

qoftë në tokë qoftë në qiell.

21 Edhe ju që dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija,

22 tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të trupit të vdekshëm të Krishtit ‑ nëpër vdekje ‑ që t’ju nxjerrë para Tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.

23 Por duhet të qëndroni të themeluar në fe, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në shpresën që jep Ungjilli, për të cilin dëgjuat, i cili iu predikua secilës krijesë nën qiell. Këtij Ungjilli unë Pali iu bëra mbarështues.

Shërbesa e Palit në Kishë

24 Dhe tani vetë u gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit për Trupin e tij ‑ Kishën.

25 U bëra mbarështues i Saj në fuqi të misionit që Hyji më caktoi për të mirën tuaj që ta bëj të njohur njëherë e përgjithmonë Fjalën e Hyjit:

26 ‑ Misterin e mbajtur fshehur gjatë shekujsh dhe breznish, të cilin tani ua zbuloi shenjtërve të tij.

27 Këtyre Hyji deshi t’ua bëjë të njohur lavdinë e begatshme të këtij Misteri në paganë: d. m. th. : Krishti është ndër ju, shpresa e lavdisë!

28 Ne kumtojmë Atë. Qortojmë çdo njeri dhe mësojmë gjithkënd me çdo njohuri për të bërë që gjithkush të arrijë përsosmërinë në Krishtin.

29 Për këtë arsye edhe mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së tij i cili me plot fuqi vepron në mua në mënyrë të pushtetshme.



Fjala e Zotit