1
- Unë jam lule e çelur në fushë,
zambak i rritur n’për lugina.
2 ‑ Çka është zambaku fër ferrave
është ndër vajza mikesha ime.
3 ‑ Çka është molla ndër dru t’pyllit
i dashuri im është ndër djelmosha.
Rri nën hijen e atij që e doja
e fryti i tij është i ëmbël për gojën time.
4 Ai vetë më futi në dhomë të verës,
me flamur më mb’loi të dashurisë.
5 Më shujtoni me kuleç rrushi
e për shujtë më jepni mollë
se jam sëmurë nga dashuria!
6 E majta e tij nën kokën time
e me të djathtën më përqafon.
7 O bija të Jerusalemit,
pash sutat e sorkadhet
që fushës enden:
mos e zgjoni, mos ia nxirrni gjumin të dashurës,
deri sa të zgjohet vetë!
8 Ja, zëri i të dashurit tim!
Ja, po vjen!
Po i kalon malet,
pup po i shkapërcen kodrat!
9 I dashuri im është porsi dre,
zog drenushe!
Ja, ai vetë! Zuri vend
pas murit tonë!
Po shikon nëpër dritare,
po shikon nëpër kangjella!
10 Ja, i dashuri im po më thotë:
“Çohu, mikesha ime,
pëllumbesha ime,
bukuroshja ime dhe eja!
11 Se tashmë dimri mbaroi,
pushoi shiu edhe kaloi!
12 U mbulua toka me lule,
e të kimit koha arriti,
turtullit i ndihet zëri
në vendin tonë,
13 fiku i endi kokrrat e para,
në lulëzim vreshtat po lëshojnë erë:
ngritu, mikesha ime,
bukuroshja ime, e eja!
14 Pëllumbeshë në plasat e shkëmbit,
në shpella qetash,
ma dëfto fytyrën tënde,
le të më tingëllojë në veshë zëri yt,
se i ëmbël është zëri yt
e fytyra jote e hijshme”!
15 Kapni dhelprat, ato të voglat
që vreshtat po i dëmtojnë,
se në lulëzim janë vreshtat tona.
16 I dashuri im
që kullot grigjat ndër lila,
më përket mua
edhe unë vetëm atij.
17 Para se dita të mbarojë,
para se hijet të zgjaten,
kthehu, o i dashuri im:
ngjaj kecit, zogut të drenushës
përmbi malet e Beterit!