< Ksh 12 Kk 2 >
Lexim prej librit Kënga e Këngëve(Kk 1)
1

1 Kënga e këngëve e Salomonit.

2 Më puth me puthjen e gojës sate!

Dashuria jote është më e mirë se vera

3 me erën e këndshme të erërave të tua të mira!

Ti vetë je më e mira erë,

ja përse vajzuket të duan!

4 Më tërhiq pas vetes! Të vrapojmë!

Mbreti më shtiftë në dhomat e veta!

N’saje tënde t’gëzojmë, t’galdojmë,

T’dehemi me përkedhelje të tua

shumë më tepër se me verë!

Kanë plot të drejtë që dashurohen në ty!

5 Jam e zeshkët, porse e bukur,

o bija t’Jerusalemit,

porsi tendat e Cedarit,

si shatorret e Salomonit.

6 Mos m’shikoni pse jam e zeshkët,

sepse dielli më ka nxirë.

M’u hidhëruan bijtë e nënës sime,

m’dërguan vreshtat t’i ruaj:

vreshtin tim unë nuk e ruajta.

7 Më thuaj, o i dashuri i zemrës sime, kah mballon,

e në kohë të zhegut ku mrizon,

që të mos endem poshtë‑përpjetë

përmbas grigjave të shokëve të tu?

8 Nëse s’e di,

o më e bukura ndër gjitha gratë,

dil e ndiq të grigjave gjurmët,

kulloti kecat e tu

afër tëbanave të barinjve!

9 Më dukesh, mikesha ime,

porsi pela në qerre të faraonit.

10 Sa të hijshme mollëzat e tua ndërmjet lavjerrësish,

qafa jotë me gjerdan!

11 Do të punojmë për ty vathë ari

me kokërza prej argjendit.

Dialog i të fejuarit me të fejuarën

12 Ndërsa mbreti pushon në shtrojë,

nardi im jep erë të mirë.

13 Tufë smirrne i dashuri im

që pushon në parzmën time,

14 i dashuri im është vile cipri

nga vreshtat e Engadit.

15 ‑ E bukur je, mikesha ime,

oh sa e bukur:

sytë e tu sy pëllumbeshe!

16 ‑ I bukur je, i dashuri im,

oh sa i hijshëm!

Shtrati ynë me lule i shtruar,

17 trarët e shtëpisë sonë janë prej cedrit,

tavanat dru qeparisi.



Fjala e Zotit