1 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Mos u tremb e mos e birr guximin! Merre me vete mbarë ushtrinë e luftëtarëve! Ngrihu e shko kundër Hajit! Ja, e lëshova në dorën tënde mbretin e tij, popullin, qytetin e tokën e tij!
2 bëj me qytetin e Hajit dhe me mbretin e tij, siç bëre me Jerikun dhe me mbretin e tij. Porse prenë e të gjitha kafshët merrni për vete. Vër pusi prapa qytetit”!
3 Jozuehu dhe të gjithë të aftit për luftë u bënë gati për ta sulmuar Hajin. Jozuehu zgjodhi tridhjetë mijë burra të fortë dhe i dërgoi natën
4 me këtë urdhër: “Zini pusinë prapa qytetit, por jo fort larg tij, dhe rrini gati të gjithë.
5 Kurse unë dhe mbarë populli tjetër me mua do t’i afrohemi qytetit përballë. Kur të dalin ata kundër nesh, si herën tjetër, do t’ua kthejmë shpinën e do të vihemi në ikje,
6 derisa, duke na ndjekur, të largohen prej qytetit: do të mendojnë se ne po ikim si herën e parë.
7 Kështu, ndërsa ne të ikim e ata të na ndjekin, ju dilni prej pusisë dhe pushtojeni qytetin: Zoti, Hyji juaj, do t’jua lëshojë në dorë.
8 Kur ta keni pushtuar, digjeni: veproni sipas urdhrit të Zotit! Ky është urdhri im”!
9 I lëshoi dhe ata shkuan në vendin e pusisë e zunë vend ndërmjet Betelit e Hajit, në krah të perëndimit të qytetit Haj. Jozuehu atë natë e kaloi mes popullit.
10 Të nesërmen u ngrit herët në mëngjes, e numëroi popullin dhe bashkë me krerët u nis në krye të ushtrisë.
11 Me të u ngjitën të gjithë luftëtarët. Kur iu afruan qytetit, zunë vend në krahun e veriut të qytetit. Ndërmjet kishin një rrafshinë.
12 Jozuehu zgjodhi rreth pesë mijë burra dhe i vendosi në pusi ndërmjet Betelit e Hajit, në anën e perëndimit të qytetit të Hajit.
13 Populli nguli fushimin në anën e veriut të qytetit dhe prapavija e fundit ishte në anën e perëndimit të tij. Jozuehu atë natë e kaloi në mes të fushës.
14 Kur e pa këtë mbreti i Hajit, në mëngjes herët nxitoi e doli prej qytetit me tërë ushtrinë e qytetit e i drejtoi aradhet në drejtim të Arabës dhe nuk dinte se pas shpine e kishte pusinë.
15 Kurse Jozuehu e mbarë Izraeli e lëshuan vendin dhe, duke u shtirur se po trembeshin, morën ikjen udhës që shpie në shkretëtirë.
16 U bashkua mbarë populli që ishte në qytet për t’i ndjekur, dhe u vu për t’i ndjekur. Kur u larguan prej qytetit
17 e, pasi nuk mbeti asnjë në qytet, në Haj, që nuk iu vu pas Izraelit, dhe, si e lanë qytetin me dyer të hapura,
18 Zoti i tha Jozuehut: “Ngrije heshtën që ke në dorë, kundër qytetit të Hajit, sepse ta lëshova në dorë”!
19 Kur ngriti Jozuehu heshtën në drejtim të qytetit, pritat që ishin në pusi u ngritën dhe menjëherë vrapuan edhe e pushtuan qytetin e, pa vonuar, i dhanë zjarrin.
20 Njerëzit e qytetit që po ndiqnin Jozuehun, kur u kthyen panë se tymi i qytetit po ngrihej deri në qiell. Atëherë s’ditën nga t’ia mbanin, sidomos atëherë kur ata që kishin bërë sikur po zmbrapsen prej frikës e po merrnin në drejtim të shkretëtirës, u kthyen kundër ndjekësve.
21 Kur Jozuehu e mbarë Izraeli panë se ishte marrë qyteti dhe po ngrihej tymi i tij, u kthyen dhe i sulmuan njerëzit e Hajit.
22 Po ashtu edhe ata që kishin pushtuar dhe ndezur qytetin, dolën prej qytetit kundër tyre në sulm dhe kështu armiqtë i shtinë në mes. E kështu të rrethuar nga të dy anët, i vranë të gjithë dhe s’shpëtoi asnjë as duke ikur prej tërë asaj shumice.
23 Mbretin e qytetit të Hajit e zunë gjallë dhe ia sollën Jozuehut.
24 Kështu, pra, pasi u vranë të gjithë banorët e Hajit, që e kishin ndjekur Izraelin që po ikte në drejtim të shkretëtirës, dhe pasi aty i prenë me shpatë, atëherë bijtë e Izraelit u kthyen në qytet dhe me tehun e shpatës i prenë të gjithë ata që ndodheshin në qytet.
25 Të vrarët e asaj dite, burra e gra, ishin dymbëdhjetë mijë njerëz ‑ të gjithë prej qytetit të Hajit.
26 Jozuehu nuk e uli dorën, të cilën e pat ngritur duke shtrënguar heshtën, derisa u vranë të gjithë banorët e Hajit.
27 Vetëm bagëtitë dhe prenë e këtij qyteti bijtë e Izraelit i ndanë ndër vete sikurse Zoti i kishte dhënë urdhër Jozuehut.
28 Atëherë Jozuehu e dogji qytetin dhe e bëri rrënojë të përhershme, vend të shkretëruar deri në ditën e sotme.
29 Mbretin e Hajit e vari në një lis deri në mbrëmje. Në perëndim të diellit, Jozuehu dha urdhër të zbritet kufoma e tij prej lisit. Kufomën ia hodhën në hyrje të derës së qytetit, mbi të qitën një grumbull të madh gurësh, që është edhe sot e kësaj dite.
30 Me këtë rast Jozuehu për nder të Zotit, Hyjit të Izraelit, ndërtoi një lter mbi malin Hebal,
31 ashtu si u kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, bijve të Izraelit dhe sikur është shkruar në Librin e Ligjit të Moisiut: lter prej gurësh të palatuar, të paprekur me hekur. Mbi të i kushtuan Zotit fli shkrumbimi dhe therore paqeje.
32 Aty Jozuehu shkroi mbi gurë një dysheritje të Ligjit të Moisiut, që ai e kishte pasë shkruar në praninë e bijve të Izraelit.
33 Mbarë populli, të parët e tyre, udhëheqës e gjykatës, të ardhur e vendës, qëndruan në këmbë në të dy anët e Arkës në praninë e priftërinjve levitë, që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit: njëra gjysmë përballë malit Garizim, e tjetra përballë malit Hebal, siç kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit, për ta bekuar së pari popullin e Izraelit.
34 Atëherë Jozuehu i lexoi të gjitha fjalët e Ligjit ‑ bekimin e mallkimin ‑ krejt ashtu siç ishin të shkruara në librin e Ligjit.
35 Jozuehu s’la pa lexuar asnjë prej fjalëve që kishte urdhëruar Moisiu, por i lexoi të gjitha në kuvendin e dheut të mbarë Izraelit, ku ishin gratë e fëmijët e të ardhurit që banonin ndër ta.