< Joz 5 Joz 7 >
Lexim prej librit të Jozuehut(Joz 6)
6

1 Jeriku ishte i fortifikuar dhe i mbyllur për bijtë e Izraelit. Askush s’guxonte as të dilte, as të hynte.

2 Zoti i tha Jozuehut: “Ja, ta lëshova në dorë Jerikun dhe mbretin e tij e të gjithë luftëtarët e tij.

3 Silluni të gjithë luftëtarët një herë në ditë rreth qytetit: kështu bëni për gjashtë ditë.

4 Shtatë priftërinj le t’i mbartin shtatë bori‑ brirë deshësh para Arkës së Besëlidhjes. Por, të shtatën ditë silluni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë le t’u bien borive.

5 Kur të jehojë zëri më i gjatë i borisë, dhe posa ta dëgjoni zërin e borisë, mbarë populli le të lëshojë britma të thekshme kushtrimi dhe atëherë muret e qytetit do të shemben përdhe deri në themel: atëherë le të hyjë secili nëpër atë vend përballë të cilit të ketë ndodhur”.

6 Atëherë Jozuehu i Nunit i thirri priftërinjtë dhe u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të tjerë le t’i marrin shtatë boritë dhe të ecin para Arkës së Zotit”.

7 Kurse popullit i tha: “Nisuni e silluni rreth qytetit. Burrat e armatosur le të shkojnë para Arkës së Zotit”.

8 Posa i kreu fjalët Jozuehu, shtatë priftërinj të nisën t’u bien shtatë borive para Arkës së Besëlidhjes së Zotit.

9 Mbarë ushtria e armatosur shkonte para priftërinjve që u binin borive, kurse mbarë vegjëlia tjetër shkonin pas Arkës: ndërkaq jehonte zëri i borive.

10 Porse Jozuehu i kishte dhënë urdhër popullit: “Mos bërtitni dhe, as të mos ju dëgjohet zëri dhe të mos dalë asnjë fjalë prej gojës suaj derisa të vijë dita. Atëherë do t’ju them: Bërtitni e jepni kushtrimin”!

11 U soll, pra, Arka e Zotit në pikë të ditës rreth qytetit dhe u kthyen në ja, ku e kaluan natën.

12 Jozuehu u çua herët në mëngjes, priftërinjtë e morën Arkën e Zotit

13 edhe shtatë të tjerë prej tyre i morën shtatë boritë ‑ brirë deshësh, dhe shkonin përpara Arkës së Zotit, ecnin dhe u binin borive, kurse populli i armatosur shkonte para tyre, populli tjetër shkonte pas Arkës e ndërkaq boritë binin.

14 Edhe ditën e dytë iu sollën rreth qytetit një herë dhe u kthyen në ja. Kështu vepruan për gjashtë ditë.

15 Të shtatën ditë u çuan herët, me të zbardhur të dritës, në të njëjtën mënyrë u sollën rreth qytetit shtatë herë; vetëm atë ditë u sollën rreth qytetit shtatë herë.

16 E kur në rrethsjelljen e shtatë priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i klithi popullit: “Jepni kushtrimin! Zoti jua lëshoi në dorë qytetin!

17 Qyteti me gjithçka ka në të le të jetë i ngarkuar me “mallkim” për nder të Zotit. Le të mbetet gjallë vetëm Rahaba lavire me të gjithë ata që janë në shtëpinë e saj: sepse ajo i fshehu hetuesit që i patëm dërguar!

18 Porse ju, ruhuni mirë të mos merrni ndonjë gjë të ngarkuar me “mallkim” e të bëheni shkaktarë që të ngarkohet me “mallkim” edhe zemërimia e Izraelit e t’i sillni fatkeqësi.

19 Sa të ketë ar e argjend dhe enë bronzi ose hekuri, le t’i kushtohen Zotit e le të ruhen në thesarin e tij”.

20 E atëherë krisi kushtrimi i luftës prej mbarë popullit, jehuan boritë! Kur jehoi zëri i borive, u dëgjua kushtrimi i popullit, ranë muret përdhe! Atëherë secili prej vendit ku ndodhi, u nis drejt e në qytet dhe e morën qytetin.

21 Vranë gjithçka ishte në qytet: trim e grua, foshnjë e plak; me teh të shpatës prenë deri edhe qe, dele e gomarë!

22 Dy burrave që qenë dërguar për të hetuar vendin, Jozuehu u tha: “Hyni në shtëpinë e gruas lavire e nxirreni jashtë atë dhe për sa i përket asaj veproni sikur i keni pasë dhënë besën”.

23 Djelmoshat hynë dhe e qitën jashtë Rahabën, prindërit e saj, po ashtu edhe vëllezërit, e gjithçka i takonte dhe të afërmit e saj e i vendosën jashtë ja së izraelitëve.

24 Atëherë e dogjën qytetin me gjithçka kishte në të me përjashtim të argjendit, të arit e të enëve prej bronzi ose hekuri, të cilat i vendosën në thesarin e Shtëpisë së Zotit.

25

Rahabës lavire dhe shtëpisë së saj me gjithçka kishte, Jozuehu ia fali jetën, sepse i kishte fshehur hetuesit që i pat dërguar Jozuehu për të bërë hetime për Jerikun. Ajo banoi në mes të Izraelit deri në ditën e sotme.

@@@

Asokohe Jozuehu lëshoi këtë nëmë:

26 ”Qoftë mallkuar para Zotit ai njeri që do të guxojë të ngrihet për ta rindërtuar qytetin e Jerikut! Mbi djalin e madh i shtiftë themelet e mbi më të voglin e vëntë derën e tij”!

27 Zoti ishte me Jozuehun dhe zëri i mirë për të u hap në mbarë vendin.



Fjala e Zotit