< Joz 4 Joz 6 >
Lexim prej librit të Jozuehut(Joz 5)
5

1 Kur morën vesh të gjithë mbretërit e amorrenjve, që jetonin përtej Jordanit, në anën e perëndimit, dhe mbarë mbretërit e Kanaanit, që zotëronin vendet e afërta të Detit të Madh, se Zoti e kishte tharë ujin e Jordanit para izraelitëve derisa ta kalonin, i lëshoi krejtësisht zemra dhe mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve.

2 Aso kohe Zoti i tha Jozuehut: “Puno thika stralli dhe rrethprej përsëri herën e dytë bijtë e Izraelit!”

3 Jozuehu bëri si i urdhëroi Zoti dhe, në malin e Zhangave, i rrethpreu bijtë e Izraelit.

4 Ja arsyeja e rrethprerjes së dytë: i gjithë populli që kishte dalë prej Egjiptit, sa qenë meshkuj, të gjithë burrat luftëtarë, vdiqën gjatë udhëtimit në shkretëtirë.

5 Të gjithë kishin qenë të rrethprerë. Kurse populli që kishte lindur në shkretëtirë, ishte i parrethprerë.

6 Për dyzet vjet bijtë e Izraelit udhëtonin derisa u zhdukën të gjithë burrat luftëtarë, që nuk e kishin dëgjuar zërin e Zotit dhe të cilëve u përbetua se nuk do t’ua dëftonte tokën për të cilën u ishte betuar etërve të tyre se do t’ua jepte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë.

7 Në vendin e tyre erdhën bijtë e tyre dhe këta i rrethpreu Jozuehu, sepse ishin siç kishin lindur, të parrethprerë, pasi askush nuk i kishte rrethprerë gjatë udhëtimit.

8 Pasi qenë rrethprerë të gjithë, u ndalën në zemërimië derisa të shëroheshin.

9 Atëherë Zoti i tha Jozuehut: “Sot jua hoqa çnderimin e Egjiptit”. Ai vend u quajt deri në ditën e sotme: Galgalë.

10 Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerikut dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët.

11 Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë.

12 Të nesërmën, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.


13 Kur ishte Jozuehu në rrethinën e Jerikut, ngriti sytë dhe pa një njeri që po i qëndronte përballë me shpatë të nxjerrë prej millit në dorë. Jezuehu iu afrua dhe e pyeti: “A je yni apo i kundërshtarëve?”.

14 Ai iu përgjigj: “Jo, unë jam Prijësi i ushtrisë së Zotit dhe arrita tani... ”.

15 Jozuehu ra me fytyrë përdhe, e adhuroi dhe tha: “Çfarë i urdhëron Imzoti shërbëtorit të vet”?

16 Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: “Hiqi sandalet prej këmbëve të tua; sepse vendi në të cilin qëndron, është i shenjtë”. Jozuehu bëri siç i qe urdhëruar.



Fjala e Zotit