1 Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e lëshoi zemërimiën. E lëshuan Setimin e arritën tek Jordani, ai e të gjithë bijtë e Izraelit. Zunë vend aty para se të kalojnë.
2 Si kaluan tri ditë, krerët ranë përmes zemërimiës
3 e i urdhëruan popullit: “Kur ta shihni Arkën e Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, dhe priftërinjtë levitë duke e mbartur, ngrihuni edhe ju dhe shkoni pas saj
4 ‑ndërmjet saj dhe jush le të jetë një largësi afërsisht rreth dy mijë kute dhe ruaj se i afroheni ‑ që të dini cilës rrugë u duhet të shkoni, sepse asaj rruge nuk keni kaluar askurrë”.
5 Edhe Jozuehu i tha popullit: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë në mesin tuaj mrekulli”.
6 Kurse priftërinjve u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes e prini popullit”! Ata e morën Arkën dhe u nisën para popullit.
7 Zoti i tha Jozuehut: “Sot po filloj të të lartësoj para syve të mbarë Izraelit që ta dinë se, siç isha me Moisiun, ashtu jam edhe me ty.
8 Ti urdhëroju priftërinjve që mbartin Arkën e Besëlidhjes dhe thuaju: ‘Kur të arrini në buzë të ujit të Jordanit, zini vend në Jordan’”.
9 Atëherë Jozuehu u tha izraelitëve: “Afrohuni këtu e dëgjojini fjalët e Zotit, Hyjit tuaj”.
10 Pastaj vazhdoi: “Me këtë do ta dini se Hyji i gjallë është në mesin tuaj, se do ta shpërndajë para syve tuaj Kananeun, Heteun, Heveun, Ferezeun, Gergezeun e me të edhe Amorreun dhe Jebuzeun!
11 Ja, Arka e Zotëruesit të mbarë tokës, do t’ju prijë përmes Jordanit.
12 Bëni gati dymbëdhjetë burra prej fiseve të Izraelit, nga një prej secilit fis.
13 Kur t’i shtien në ujë këmbët e veta priftërinjtë që mbartin Arkën e Zotit, Hyjit të mbarë dheut, në ujin e Jordanit, ujërat që janë më poshtë do të rrjedhin, kurse ujërat që rrjedhin prej lart, do të ndalen si pritë”.
14 U nis, pra, populli prej çadrave të veta për të kaluar Jordanin e priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, ecnin para tij.
15 Arritën deri te Jordani dhe, posa i lagën këmbët në ujin e buzës së tij ‑ ishte koha e të korrave kur Jordani prej ujit të madh gati i vërshon brigjet e veta ‑
16 u ndalën ujërat që rridhnin prej së larti e që larg u bënë si pritë, që prej qytetit të Adamit që është afër Sartanit, kurse ato të poshtmet rrodhën në Detin e Arabës, që është Deti i Vdekur, derisa shteruan krejtësisht.
17 Populli vazhdonte drejt Jerikut, kurse priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, qëndronin në këmbë mbi truallin e terur në mes të Jordanit, përderisa nuk e kaloi mbarë Izraeli Jordanin nëpër shtrat të thatë të lumit.