< Joz 23 Gjq 1 >
Lexim prej librit të Jozuehut(Joz 24)
24

1 Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem dhe i grishi pleqtë, prijësit, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit.

2 Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit kështu:

“Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nakorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja.

3 Prandaj unë e mora Abrahamin, babain tuaj, prej tokës së Mesopotamisë, e shpura nëpër mbarë tokën e Kanaanit dhe e shumova farën e tij.

4 Ia dhurova Izakun. Izakut pastaj i fala Jakobin dhe Ezaun. Prej tyre, Ezaut i dhashë për pronë bjeshkët e Seirit, kurse Jakobi e bijtë e tij zbritën në Egjipt.

5 Atëherë dërgova Moisiun e Aronin dhe e godita Egjiptin me shenja të mrekullueshme që i bëra në mesin e tij e pastaj ju nxora prej andej.

6 Unë i nxora etërit tuaj prej Egjiptit dhe arritët deri te deti. Egjiptianët i ndoqën etërit tuaj me karroca e me kalorësi deri te Deti i Kuq.

7 Ata kërkuan ndoren e Zotit dhe Ai lëshoi terrin ndërmjet jush dhe egjiptianëve dhe shtyri mbi ta detin që i mbuloi. Patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Pastaj jetuat në shkretëtirë për një kohë të gjatë.

8 Pastaj ju priva e ju prura në tokën e Amorreut, që banonte përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë i lëshova në duar tuaja, jua pushtuat tokën dhe ata i vratë.

9 U ngrit Balaku, biri i Seforit, mbreti i Moabit, dhe luftoi kundër Izraelit. Çoi e thirri Balaamin, birin e Beorit, që t’ju mallkonte.

10 Por unë nuk desha t’ia vija veshin atij, por përkundrazi, iu desh t’ju bekojë dhe ju shpëtova prej duarve të tija.

11 E kaluat Jordanin dhe mbërritët tek Jeriku. Kundër jush luftuan trimat e atij qyteti ‑ Amorreu. Ferezeu, Kananeu, Heteu, Gergezeu, Heveu e Jebuzeu dhe unë qeshë ai që jua lëshova në dorë.

12 I lëshova para jush grethat dhe i bënë të dalin para jush ‑ dy mbretërit e amorrenjve ‑ jo në saje të shpatës e të harkut tënd!

13 Unë jua dhashë tokën që nuk e keni punuar, qytetet që nuk i keni ndërtuar e banoni në to; ju dhashë vreshta e ullishta që nuk i mbollët, e po hani prej tyre”!

14 “Tani, pra, druani Zotin e shërbejini Atij me zemër të përsosur e plotësisht besnike! Flakni tej zotat të cilëve u shërbyen etërit tuaj në Mesopotami e në Egjipt dhe shërbejini Zotit!

15 Por, në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit”!

16 Populli u përgjigj:

“Zoti mos e thëntë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj!

17 Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha dhe na ruajti në çdo udhë ngado kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam.

18 Pastaj, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçerisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë”!

19 Atëherë Jozuehu i tha popullit:

“Ju nuk do të mund t’i shërbeni Zotit. Ai është Hyj i shenjtë, Hyj ziliqar që s’mund t’i durojë dot paudhësitë e mëkatet.

20 Nëse do ta lini Zotin e do t’u shërbeni zotave të huaj, Ai do të kthehet kundër jush, do t’ju ndëshkojë e do t’ju shpartallojë, pasi ju ka bërë gjithë ato të mira”.

21 Populli i tha Jozuehut: “Assesi! Ne do t’i shërbejmë Zotit”!

22 Atëherë Jozuehu i tha popullit: “Pra, ju vetë jeni dëshmitarë kundër vetvetes, se ju vetë e zgjodhët Zotin për t’i shërbyer”.

U përgjigjën: “Jemi dëshmitarë”!

23 Jozuehu shtoi: “Hiqni pra, tani, zotat e huaj që janë ndër ju, dhe ktheni zemrat tuaja te Zoti, Hyji i Izraelit!

24 E populli iu përgjigj Jozuehut: “Do t’i shërbejmë Zotit, Hyjit tonë, dhe do t’i dëgjojmë urdhërimet e tija”.

25 Kështu, pra, Jozuehu në këtë ditë lidhi me popull Besëlidhjen në Sikem. Caktoi ligje dhe rregullore.

26 Atëherë këto fjalë i shënoi në Librin e Ligjit të Hyjit. Pastaj mori një gur tejet të madh dhe e vendosi aty nën qarr, që ishte në Shenjtëroren e Zotit,

27 dhe i tha mbarë popullit: “Ja, ky gur le të jetë dëshmitar kundër jush, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët e Zotit që i tha ndër ne, që më vonë të mos keni se si ta mohoni e të gënjeni Zotin, Hyjin tuaj”.

28 Atëherë e la popullin të shkojë secili në pronën e vet.


29 Pas këtyre ngjarjeve vdiq Jozuehu, i biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjetësh.

30 E varrosën në pronën e tij në Tamnatsare, që është në malet e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas.

31 Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë ditëve të jetës së Jozuehut dhe të pleqve, të cilët jetuan një kohë të gjatë pas Jozuehut dhe të cilët i njohën të gjitha veprat e Zotit, që i bëri Izraelit.

32 I varrosën edhe eshtrat e Jozefit, që i sollën bijtë e Izraelit prej Egjiptit në Sikem, në pjesën e arës që e kishte blerë Jakobi prej bijve të Hemorit, babait të Sikemit, për njëqind para argjendi dhe ishte pjesë e pronës së bijve të Jozefit.

33 Vdiq po ashtu edhe Eleazari, biri i Aronit. E varrosën në Gabaanë e Fineesit, birit të tij, që i qe dhënë atij në malin e Efraimit.



Fjala e Zotit