< Joz 1 Joz 3 >
Lexim prej librit të Jozuehut(Joz 2)
2

1 Jozuehu, biri i Nunit, i dërgoi fshehtazi prej Setimit dy hetues dhe u tha: “Shkoni dhe vëreni mirë tokën dhe qytetin Jerik”. Këta shkuan e hynë në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë dhe aty bujtën.

2 E lajmëruan mbretin e Jerikut e thanë: “Ja, arritën mbrëmë disa njerëz prej bijve të Izraelit për të marrë hetime mbi vendin”.

3 Atëherë mbreti i Jerikut dërgoi t’i thonë Rahabës: “Qiti jashtë njerëzit që erdhën te ti dhe hynë në shtëpinë tënde; sepse janë spiunë dhe erdhën të marrin hetime mbi vendin”.

4 Gruaja atëherë mori e i fshehu njerëzit. Atyre iu përgjigj: “Është e vërtetë se erdhën tek unë, por unë nuk dija se nga ishin.

5 Kur në mug të natës po mbylleshin dyert e qytetit, njerëzit dolën e nuk di nga ia mbajtën. Ndiqni me nxitim se do t’i zini”.

6 Por ajo i ngjiti njerëzit lart në tarracën e shtëpisë së vet, i mbuloi me kashtë liri që ishte aty.

7 Të dërguarit e mbretit u vunë t’i kërkonin udhës që shpie në shtratin e Jordanit. Kur dolën ndjekësit jashtë qytetit dera e qytetit u mbyll.

8 Ende pa i zënë gjumi hetuesit, kur ja, u ngjit gruaja tek ata dhe u tha:

9 “E di se Zoti jua ka dorëzuar vendin, sepse frika juaj na ka hyrë të gjithë banorëve në eshtra dhe të gjithë banorët e këtij vendi i ka lëshuar zemra prej frikës suaj.

10 Sepse kemi dëgjuar që Zoti e ka tharë Detin e Kuq posa keni hyrë brenda, kur patët dalë prej Egjiptit. Dëgjuam edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amorrenjve që ishin përtej Jordanit: Sehonit e Ogut, të cilët i vratë.

11 Kur i dëgjuam të gjitha këto, u trembëm për së tepërmi, na lëshoi zemra dhe askush s’guxon as të marrë frymë para jush, sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyj atje lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë.

12 Tani, pra, m’u betoni për Zotin se edhe ju do të dëftoni dhimbje për shtëpinë e atit tim, siç u dëftova edhe vetë e mëshirshme me ju dhe ma jepni besën e fortë

13 se do të m’i lini gjallë babain, nënën, vëllezërit e motrat e të gjithë të tyret dhe se do të na e shpëtoni jetën prej vdekjes”.

14 Ata iu përgjigjën: “Peng le të jetë jeta jonë për ju, vetëm mos na tradhto. Kur të na e dorëzojë Zoti vendin, do të dëftojmë dhembje për ty e do ta mbajmë besën”.

15 Ajo atëherë me anë të litarit i lëshoi për dritareje. Shtëpia e saj ishte ngjitur për muri dhe jetonte kapur për murin rrethues.

16 Ajo edhe u tha: “Mësyni malet që të mos ndesheni në ndjekës, dhe atje fshihuni për tri ditë derisa ata të kthehen në qytet. Ju atëherë ndiqni rrugën tuaj”.

17 Hetuesit i thanë: “Ne do të jemi të lirë prej këtij përbetimi që kërkove ta bëjmë, nëse nuk do të plotësohet ky kusht:

18 nëse, kur të hyjmë ne në vend, shenjë do të jetë ky litar ngjyrë gjaku: lidhe në dritaren nëpër të cilën na lëshove dhe babë, nënë, vëllezër e mbarë farefisin tënd bashkoji në Shtëpinë tënde.

19 Kush të dalë jashtë derës sate, gjaku i tij le të bjerë mbi kokë të tij, ne do të jemi të pafajshëm, kurse gjaku i secilit që të jetë me ty në shtëpi, nëse i prek kush, le të bjerë mbi kokën tonë.

20 Por nëse ti do të zbulosh punën tonë, ne do të jemi të lirë nga kjo besë që kërkove prej nesh”.

21 Ajo iu përgjigj: “Na qoftë sikurse thatë”! Atëherë i la të shkojnë dhe e vari litarin e kuq në dritare.

22 Ata çanë e shkuan në malësi dhe qëndruan atje tri ditë, derisa të ktheheshin ata që u kishin vënë ndjekjen. Ata i kërkuan udhës gjithkund, por nuk i gjetën.

23 Këta të dy u kthyen: zbritën prej maleve dhe, si e kaluan Jordanin, arritën te Jozuehu, biri i Nunit, dhe i treguan gjithçka u kishte ndodhur.

24 Pastaj shtuan: “Mbarë tokën na e lëshoi Zoti në dorë; mbarë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika jonë”.



Fjala e Zotit