1 U bashkuan të gjithë bijtë e Izraelit në Silo dhe aty ngrehën Tendën e Takimit. E kishin pushtuar mbarë vendin.
2 Por në mes të bijve të Izraelit mbetën shtatë fise që ende nuk e kishin marrë pronën e vet.
3 Atëherë Jozuehu u tha: “Deri kur do të kalbeni nga ngathtësia e nuk do të hyni ta merrni për pronë tokën që jua dha Zoti, Hyji i etërve tuaj?
4 Zgjidhni prej çdo fisi nga tre burra që t’i dërgoj ta përshkojnë tokën e ta përshkruajnë sipas numrit të secilit fis për ta ndarë. Pastaj le të ma sjellin ç’kanë shkruar.
5 Ndajeni tokën ndërmjet vetes në shtatë pjesë. Juda le të mbesë në tokën e vet në jug, kurse Shtëpia e Jozefit le të qëndrojë në tokën e vet në veri.
6 Tokën tjetër ta shkruani në shtatë pjesë. Ma sillni këtu tek unë, që në praninë e Zotit, Hyjit tonë, të qes short këtu për ju.
7 Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e Zotit është prona e tyre. Kurse Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manaseut tanimë i kanë marrë pronat e veta përtej Jordanit, në anën e lindjes, që ua pat dhënë Moisiu, shërbëtori i Zotit”.
8 Kur u ngritën njerëzit që të shkonin për ta përshkruar tokën, Jozuehu u urdhëroi: “Përshkojeni vendin dhe përshkruajeni e kthehuni tek unë, që këtu, në praninë e Zotit, në Silo, t’jua ndaj me short”.
9 Kështu, pra, ata shkuan dhe e përshkuan vendin qytet më qytet dhe e ndanë në shtatë pjesë duke e shënuar në regjistër. Atëherë u kthyen tek Jozuehu në zemërimië në Silo.
10 Jozuehu u hodhi short në praninë e Zotit në Silo dhe aty ua ndau tokën bijve të Izraelit sipas pjesëve të tyre.
11 Shorti i ra fisit të Beniaminit sipas vëllazërive të tija: pjesa atyre u takoi ndërmjet bijve të Judës e bijve të Jozefit.
12 Kufiri i tyre verior ishte prej Jordanit dhe vazhdonte gjatë krahut të veriut të Jerikut, ngjitej nga perëndimi në Malësi dhe përfundonte në shkretëtirën Betaven.
13 Prej andej shkonte drejt Luzës në jug ‑ kjo është Beteli ‑ zbret pastaj në Atarotadar, përbri malit që është në jug të Betoronit të Poshtëm.
14 Pastaj bënte lak e sillej drejt jugut nga mali që është përballë Betoronit dhe mbaronte në Kariatbaal që quhet edhe Kariatiarim, qytet i bijve të Judës: ky është krahu perëndimor.
15 Në krahun e mesditës, prej anës së Kariatiarimit, kufiri shkon në Gazim dhe arrin deri te burimi i ujërave Neftoa,
16 zbret pastaj në pjesën e fundme të malit që është përballë luginës Benenom në veri të luginës Rafaim. Ulet pastaj në luginën Enom, përbri krahut të Jebuseut në veri dhe mbërrin në burimin Rogel.
17 Kalonte në veri e mbërrinte në Ensemes /d. m. th. Burimi i Diellit/. Kalon deri në Galilot /këta janë rrathët/ që lartësohet drejt përpjetës Adomim, zbret pastaj tek Abenboeni /d. m. th. Guri Boen/ i birit të Rubenit,
18 e kalon nga veriu Betarabën dhe zbret në Arabë.
19 Pastaj kufiri kalon shpatit verior të Betaglës, dhe arrin në gjiun verior të Detit të Kripur, në grykën jugore të Jordanit. Ky është kufiri verior.
20 Në anën e lindjes si kufi shërben Jordani.
Kjo është prona e bijve të Beniaminit sipas vëllazërive të tyre me kufijtë e saj përreth.
21 Qytetet e fisit të Beniaminit ishin:
Jeriku, Betagla, Amekasisi,
22 Betaraba, Samaraimi, Beteli,
23 Avimi, Fara, Ofra,
24 Kafaremona, Ofniu, Gabaja: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.
25 Gabaoni, Rama, Beroti,
26 Masfa, Kafira, Mosa,
27 Recemi, Jarafeli, Tarala,
28 Sela, Elefi, Jebusi ‑ që është Jerusalemi, Gabaati e Kariati: katërmbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre.
Kjo është prona e bijve të Beniaminit sipas vëllazërive të tyre.