1 Me short i ra pjesa edhe fisit të Manaseut ‑ ky është i parëlinduri i Jozefit ‑ Makirit, të parëlindurit të Manaseut, babait të Galaadit ‑ që ishte luftëtar i shquar, i ra për pronë Galaadi e Basani.
2 E morën pjesën e tyre edhe bijtë e tjerë të Manaseut sipas familjeve të tyre: bijtë e Abiezerit, bijtë e Helekut, bijtë e Esrielit, bijtë e Sekemit, bijtë e Heferit e bijtë e Semidait: këta janë bijtë e Manaseut, të birit të Jozefit, meshkujt sipas vëllazërive të tyre.
3 Porse Salfaadi, i biri i Heferit, të birit të Galaadit, të birit të Mahirit, të birit të Manaseut, nuk kishte djem, por vetëm vajza. Ato quheshin: Maala, Noa, Hegla, Melka e Tersa.
4 Ato u paraqitën tek Eleazari prift, tek Jozuehu, biri i Nunit, dhe te prijësit. Thanë: “Zoti nëpër gojë të Moisiut dha urdhër të na jepet edhe neve ndër vëllezër tanë prona. Edhe Jozuehu, sipas urdhrit të Zotit, u dha pjesë ndër vëllezërit e babait të tyre.
5 Kështu i takoi Manaseut të marrë dhjetë pjesë, përveç tokës Galaad e Basan përtej Jordanit.
6 Sepse bijat e Manaseut morën pjesë në trashëgim porsi djemtë.
Kurse toka e Galaadit u ra me short të bijve të tjerë të Manaseut.
7 Kufiri i Manaseut nisej prej Aserit në Makmetat, që është përballë Sikemit, dhe kalon në anën e djathtë në Jasib afër burimit Tapfua.
8 Sepse me short i ra Manaseut toka Tapfua; kurse vetë Tapfuaja, që është në kufi të Manaseut, u ra bijve të Efraimit.
9 Pastaj kufiri bie në përruan Kana. Në jug të përroit, janë qytetet e Efraimit mes qyteteve të Manaseut. Kufiri i Manaseut është në anën e veriut të përroit dhe shkon e del në det.
10 Kështu toka e Efraimit është në jug, kurse e Manaseut në veri, dhe për kufi kanë detin. Në veri kufizoheshin me fisin e Aserit e në lindje me fisin e Isaharit.
11 Por Manaseu pati pjesë edhe në fisin e Isaharit e të Aserit; kishte: Betsanin e fshatrat e tij, Jeblaamin dhe fshatrat e tij; kështu edhe banorët e Dorit me fshatrat e tyre, po edhe banorët e Endorit me fshatrat e tij; po ashtu edhe banorët e Tanakut me fshatrat e tij, edhe banorët e Magedos me fshatrat e tij. Edhe një të tretën e krahinës Nofet.
12 Porse bijtë e Manaseut nuk ia dolën t’i pushtonin këto qytete, por në këtë vend qëndruan kananenjtë.
13 Vetëm kur izraelitët u bënë të fortë, i shtrënguan kananenjtë për angari e nuk i dëbuan nga toka.
14 Bijtë e Jozefit folën me Jozuehun dhe i thanë: “Pse më dhe si pronë vetëm një short, kurse e sheh se jam popull i shumtë dhe se Zoti më ka bekuar”?
15 Jozuehu iu përgjigj: “Pasi je popull i madh, ngjitu në pyje, çili rrah e bëj për vete tokë në krahinën e ferezenjve e të rafaimëve, nëse e keni tepër të ngushtë malësinë e Efraimit”.
16 Bijtë e Jozefit iu përgjigjën: “Malësia nuk na mjafton. Po edhe të gjithë kananenjtë që jetojnë në vërri kanë karroca hekuri si ata në Betsan me fshatrat e tij po ashtu edhe ata që janë në fushën e Jezraelit”.
17 Atëherë Jozuehu i tha shtëpisë së Jozefit, Efraimit e Manaseut: “Je popull i shumtë dhe ke forca të mëdha. S’do të mbetesh vetëm me një short,
18 por kalo në male, shpyllëzoji e pastroji e do të kesh hapësirë për të banuar. Pa dyshim do t’i dëbosh edhe kananenjtë, megjithëse kanë karroca hekuri dhe janë të fortë”.