1 Me short u ra bijve të Jozefit toka
prej Jordanit përballë Jerikut, tek ujërat e tij në lindje, shkretëtira që ngjitet prej Jerikut në malin e Betelit
2 dhe del nga Betel Luzi e kalon nëpër kufi të arakitëve në Atarot
3 dhe zbret në perëndim në kufi të Jefletit deri në kufi të Betoronit të Poshtëm dhe të Gazerit. Tokat e tyre marrin fund me Detin e Madh.
4 Bijtë e Jozefit, Manaseu dhe Efraimi, i morën këto për trashëgimin e vet.
5 Pjesa e trashëgimit të bijve të Efraimit, sipas vëllazërive të tyre, ishte: kufiri i pronës së tyre në krahun e lindjes shkonte prej Atarotadarit deri në Betoronin e Sipërm.
6 Prej këndej shtrihej deri në det, prej Makmetatit merrte në veri e pastaj sillej në lindje në Tanatselon e përshkon prej lindjes në Janoe.
7 Prej Janoesë zbret në Atarot e në Naaratë dhe arrin në Jerik dhe prek në Jordan.
8 Prej Tapfuasë kufiri kalonte në perëndim në përruan Kana e dilte në det: kjo është prona e fisit të bijve të Efraimit sipas vëllazërive të tija.
9 Bijtë e Efraimit i kishin të gjitha këto qytete me fshatrat e tyre si edhe disa qytete të ndara në mes të pronës së bijve të Manaseut.
10 Bijtë e Efraimit nuk i vranë kananenjtë që banonin në Gazer. Kananenjtë banuan në mes të Efraimajve deri në ditën e sotme si robër pune.