1 Jozuehi ishte plakur në moshë të thellë. Atëherë Zoti i tha: “U plake dhe ke shkuar larg në moshë. E pra, toka që duhet pushtuar është shumë e madhe.
2 Ja, vendet që mbeten: mbarë Galileja ‑ toka e filistenjve e mbarë Gezuria,
3 prej lumit Sihor që është në lindje të Egjiptit, deri në kufij të Akaronit në veri ‑ toka e kananenjve, që ndahet në pesë principata filistenjsh: të Gazës, të Azotit, të Askalonit, të Getit, të Akaronit, e të Heveut
4 në jug; pastaj mbarë toka e Kanaanit prej Arës së sidonasve deri në Afekë e në kufijtë e Amorreut.
5 Pastaj toka e giblianëve dhe mbarë Libani në lindje, prej Baalgadit, nën malin Hermon deri në hyrje në Emat,
6 të gjithë që banojnë në Malësi prej Libanit e deri në Maserefot, në perëndim, edhe mbarë sidonasit. Unë jam ai që do t’i zhdukë ata para bijve të Izraelit. Prandaj ti shënoje këtë vend për pronë të izraelitëve dhe ndajua me short, siç të kam urdhëruar.
7 Prandaj, ndajua këtë vend me short për pronë nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manaseut”.
8 Së bashku me gjysmën e fisit të Manaseut Moisiu, shërbëtori i Zotit, ua dha fisit të Rubenit e të Gadit për pronë tokën përtej Jordanit, në krahun e lindjes.
9 Ajo ishte prej Aroerit, që gjendet në bregun e përroit Arnon, prej qytetit në mes të luginës, mbarë rrafshnalta Medabë deri në Dibon.
10 Po ashtu të gjitha qytetet e mbretit të amorrenjve, Sehonit, që sundonte në Hesebon, deri në kufijtë e Amonit.
11 Edhe Galaadi e territori i Gesuriut dhe i Makatiut me mbarë bjeshkët e Hermonit si dhe krejt Basanin deri në Salekë ‑
12 mbarë mbretërinë e Ogut në Basan, i cili mbretëroi në Astarot e në Edrai ‑ ishte i sprasmi refaimasi i fundit ‑ këta i sulmoi dhe i shfarosi Moisiu.
13 Porse bijtë e Izraelit nuk i kishin dëbuar gesuritët as makatitët, por banuan në mes të bijve të Izraelit deri në ditët tona.
14 Vetëm fisit të Levit nuk i kishte caktuar pronë: sepse flitë e Zotit, Hyjit të Izraelit, janë trashëgimi i tij ashtu si i kishte thënë Zoti.
15 Kështu pra, Moisiu i dha fisit të bijve të Rubenit pronën sipas vëllazërive të tija.
16 Ata morën për pronë tokën prej Aroerit, që është në bregun e përroit Arnon, dhe prej qytetit që është në mes të luginës së të njëjtit përrua si dhe mbarë rrafshin deri në Medabë,
17 Hesebonin dhe të gjitha fshatrat e tij që gjenden në rrafsh: Diboni, Bamotbaali, Betbaalmaoni,
18 Jasa, Cedimoti, Mefaati,
19 Kariataimi, Sabama, Saratasahari në male përmbi luginën,
20 Betfegori dhe pjerrësinat e Fazgës e të Betiesimotit
21 si dhe të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe mbarë mbretërinë e Sehonit, mbretit të amorrenjve, që sundoi në Hesebon. Këtë e mundi Moisiu si dhe princat e Madianit: Eviun, Recemin, Surin, Hurin, Rebeun, që ishin prijësit e ushtrisë së Sehonit, banorë të vendit.
22 Bijtë e Izraelit e vranë me shpatë bashkë me të tjerë të vrarë, edhe Balaamin, të birin e Beorit, shortarin.
23 Si kufi i pronës së bijve të Rubenit u caktua lumi Jordan. Kjo është prona e bijve të Rubenit sipas vëllazërive të tyre, qytetet me fshatrat e tyre.
24 Pastaj Moisiu i dha për pronë fisit të Gadit ‑ gadasve pjesët sipas vëllazërive të tyre.
25 Pjesa e tyre është: Jaseri e qytetet mbarë të Galaadit si dhe gjysma e tokës së bijve të Amonit deri në Aroer, që është përballë Rabës.
26 Po ashtu prej Hesebonit deri në Ramotmasfë e në Betonim dhe prej Mahanaimit deri në kufijtë e Lodabarit;
27 dhe në luginën e Betaranit, Betnemrës, Sukotit e të Safonit, pjesa tjetër e mbretërisë së Sehonit, mbretit të Hesebonit; Jordani ishte kufi deri në skajin e detit Keneret, në anën e lindjes të Jordanit.
28 Kjo është prona e të bijve të Gadit sipas vëllazërive të tyre: qytetet dhe fshatrat e tyre.
29 Moisiu i dha edhe gjysmës së fisit të bijve të Manaseut sipas vëllazërive të tyre për pronë:
30 Manaseut: prej Mahanaimit mbarë Basanin, mbarë mbretërinë e Ogut, mbretit të Basanit, të gjitha fshatrat e Jairit, që janë në Basan ‑ gjashtëdhjetë qyteza.
31 Edhe gjysmën e Galaadit, Astarotit e të Edrait, qytete të mbretërisë së Ogut në Basan, u qenë dhënë bijve të Mahirit, të birit të Manaseut, gjysmës së bijve të Mahirit, sipas vëllazërive të tyre.
32 Këtë pronë e ndau Moisiu në rrafshnaltën e Moabit, përtej Jordanit, përballë Jerikut, në anën e lindjes.
33 Fisit të Levit nuk i dha pronë, sepse Zoti, Hyji i Izraelit, është trashëgimi i tij, siç i ka thënë ai vetë.