< Lp 34 Joz 2 >
Lexim prej librit të Jozuehut(Joz 1)
1

1 Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehin, birin e Nunit e shërbëtorin e Moisiut, dhe i tha:

2 ”Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Çohu, pra, e kaloje tani Jordanin, ti e mbarë populli me ty, për në tokën që unë do t’ua jap bijve të Izraelit.

3 Çdo vend që do ta shkelë shputa e këmbës suaj, jua dorëzova siç i kam thënë Moisiut.

4 Prej shkretëtirës e prej Libanit e deri në lumin e madh, Eufratin, mbarë toka e hetenjve deri te deti i Madh ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj.

5 Askush s’do të mund të të qëndrojë përballë në të gjitha ditët e jetës sate: sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty; s’do të të lë e askurrë nuk do të të braktis”.

6 “Ji burrë i fortë dhe ki guxim, sepse ti do t’ia ndash me short këtij populli tokën, për të cilën iu përbetova etërve të tij se do t’ua jap.

7 Veçse ji burrë i fortë e ki shumë guxim që të ruash e të bësh gjithçka sipas ligjit që të urdhëroi shërbëtori im Moisiu. Mos iu shmang as djathtas as majtas që të shkojë për së mbari gjithçka që të ndërmarrësh.

8 Libri i këtij Ligji të mos hiqet kurrë prej gojës sate, por kujtoje me mendje ditë e natë, që të zbatosh e të kryesh pikë për pikë gjithçka është shkruar në të: vetëm atëherë do të marrin fund me nder udhët e tua e do të kesh sukses.

9 Pse a nuk të kam urdhëruar: ‘Ti vetëm ji burrë i fortë e ki guxim! Mos u tremb as mos ki frikë, sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua’”?

10 Atëherë Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e tha: “Përshkojeni ja e urdhëroni popullit e thoni:

11 Bëni gati për vete ushqime, sepse pas tri ditësh do ta kaloni Jordanin për ta marrë për pronë tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’jua japë”.

12 Kurse rubenasve, gadasve dhe gjysmës së fisit të Manaseut u tha:

13 “Mos e qitni në harresë urdhrin që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha: ‘Zoti, Hyji juaj, ju dha pushim e jua dorëzoi këtë vend’.

14 Gratë tuaja, fëmijët e bagëtitë le të qëndrojnë në tokën përtej Jordanit, që jua dha Moisiu. Kurse ju, të gjithë sa janë të aftë për armë, të armatosur, duhet të kaloni para vëllezërve tuaj për t’u ndihmuar,

15 derisa Zoti t’u japë të pushojnë edhe vëllezërit tuaj siç ju dha juve e derisa ta marrin për pronë edhe ata tokën që Zoti, Hyji juaj, do t’ua japë. Atëherë do të mund të ktheheni në tokën e trashëgimit tuaj e do të banoni në të, në tokën që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit, në lindje të diellit.”

16 Ata iu përgjigjën Jozuehut e thanë: “Do të bëjmë gjithçka na ke urdhëruar e do të shkojmë kudo të na dërgosh.

17 Siç e dëgjuam për gjithçka Moisiun, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Porse, e paç Zotin, Hyjin tënd, me ty siç e pati Moisiu.

18 Kushdo që të mos dëgjojë urdhrin tënd e t’i përbuzë fjalët e tua e të mos i dëgjojë urdhrat, le të vritet! Ti veç, ji burrë i fortë e guximtar”!



Fjala e Zotit