< Jon 3 Mik 1 >
Lexim prej librit të Jones(Jon 4)
4

1 Jona u pikëllua shumë dhe u zemërua.

2 Iu lut Zotit e tha: “Ah, o Zot, a nuk doli pikërisht ashtu siç e mendoja unë, kur ende isha në vendin tim? Kjo ishte arsyeja pse mendoja të iki në Tarsis! Sepse e dija mirë se ti je Hyj i butë e i mëshirshëm, zemërgjerë e mëshirëmadh dhe se e fal të keqen.

3 Tani, pra, o Zot, ma merr jetën, po të lutem, sepse për mua më e mirë është vdekja se jeta.”

4 Zoti iu përgjigj: “A të thotë mendja se e ke me të drejtë të hidhërohesh kështu?”

5 Jona doli prej qytetit e zuri vend përballë, në lindje të qytetit. Punoi aty një kasolle dhe u ul të rrijë nën hijen e saj për të parë se çka do të ndodhë në qytet.

6 Zoti Hyj bëri të mbijë një urth që u rrit përmbi Jonën për t’i bërë hije mbi kokë e për ta shëruar nga pikëllimi i tij. Jona iu gëzua urthit me gëzim tepër të madh.

7 Por, të nesërmen, në agim, Hyji çoi një krimb, i cili e breu urthin dhe urthi u tha.

8 Pastaj, kur u çua lart dielli, Hyji bëri të fryejë era e nxehtë lindore. Edhe dielli e goditi në kokë Jonën. Jona u mek, dëshiroi të vdesë e tha:

“Më mirë është për mua të vdes se të rroj!”

9 Hyji i tha Jonës: “A të thotë mendja se ke të drejtë të hidhërohesh për shkak të urthit?” Iu përgjigj: “Po, kam të drejtë të zemërohem deri në vdekje!”

10 Zoti ia priti: “Ty po të dhimbset urthi rreth të cilit nuk u mundove aspak as nuk bëre asgjë që të rritet, i cili për një natë mbiu e për një natë u tha:

11 e unë të mos e fal Ninivën, qytetin e madh, në të cilin janë më se njëqind e njëzet mijë njerëz, të cilët nuk dinë ta dallojnë të djathtën e vet nga e majta e vet dhe një numër i madh kafshësh?”



Fjala e Zotit