< Jer 45 Jer 47 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 46)
46

1 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi kundër popujve.

2 Kundër Egjiptit.

Kundër ushtrisë së faraonit Nekao, mbretit të Egjiptit, që ishte përbri lumit Eufrat në Karkamis, të cilën e shpartalloi Nabukodono‑ zori, mbreti i Babilonisë, në vitin e katërt të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës.

3 Bëni gati shqyt edhe mburojë:

përpara, bini në luftë!

4 Mbërtheni kuajt!

Në shala, kalorës!

Rreshtohuni me përkrenare në kokë!

Le t’ju shkëlqejnë heshtat!

Vishni pancirët!

5 Çka kështu?

Po shoh se u trembën,

shpinën e sollën!

Trimat e tyre ranë të prerë,

ikin kah u bëjnë sytë dritë,

prapa nuk sillen.

Tmerr gjithkah

‑ është fjala e Zotit!

6 As këmbëshpejti s’mund të ikë,

as trimi s’shpëton dot kokën!

Në Veri, në brigjet e Eufratit

të mundur rrah bien!

7 Kush është ai që ngritet porsi Nili,

ujërat e të cilit ushtojnë

porsi përrenjtë kuq e turbullt?

8 Është Egjipti që vërshon si Nili,

valët e tij lëvizin porsi përrenjtë.

Ai thotë: ‘Do të fryhem, do ta vërshoj tokën,

do të shkretoj qytet e banorë të tij!’

9 Suluni, kuaj!

Përpara me furi karroca!

Përpara, o trima:

etiopas e putas, mjeshtër me shqyt,

ju, ludas, që me hark shigjetoni!

10 Por kjo është dita e Zotit,

e Hyjit të Ushtrive, dita e hakmarrjes,

që të hakmerret mbi armiqtë e vet.

Përpin shpata e ngopet,

dehet me gjakun e tyre:

sepse Zoti, Hyji i Ushtrive,

ka therje kurbanesh

në tokën e Veriut,

përbri lumit Eufrat!

11 Dil në Galaad e kërko balsam,

o virgjër, bija e Egjiptit!

Kot mbledh barna gjithfarësh,

plaga s’do të të shërohet.

12 Dëgjuan popujt për turpin tënd,

gjëma jote e mbushi dheun mbarë,

sepse kur trimi me trimin haset,

njëri dhe tjetri vdekur përdhe përplaset.

13 Fjala e Zotit që i qe drejtuar profetit Jeremi se Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, do ta godiste tokën e Egjiptit.

14 Lajmëroni Egjiptin,

njoftoni në Magdolo,

le të ndihet në Memfis e në Tafnis;

thoni: Në këmbë e bëju gati!

Sepse shpata përpiu

gjithçka është rreth teje!

15 Pse u rrëzua i Forti yt?

S’mundi të qëndrojë në këmbë,

sepse Zotynë e flaku për dhe!

16 Me shumicë njerëzit i rrëzon,

rrah për tokë bie njëri në tjetrin

e gërthasin: “Çohu!

Të kthehemi te populli ynë,

në tokën e vendlindjes sonë,

larg nga shpata e pamëshirë!”

17 Quajeni faraonin, mbretin e Egjipit:

‘Stuhi pas kohës së duhur!’

18 Pasha jetën time ‑ thotë Mbreti,

emri i të cilit është Zoti i Ushtrive,

sepse, porsi Tabori ndër male,

porsi Karmeli në bregdet,

po vjen njëri!

19 Bëj gati çaklat për shpërngulje,

bija e martuar e Egjiptit,

se Memfisi shkretëtirë do të bëhet,

e shpartalluar, pa banorë!

20 Mëshqerrë e bukur, e hijshme ishte Egjipti,

por iu sul nga Veriu zekthi!

21 Mercenarët e tij,

që në të endeshin porsi mëzetër të majmë,

ia kthyen shpinën, së bashku po ikin,

ballë s’janë të zotët assesi të bëjnë,

se erdhi dita e vrasjes së tyre,

u erdhi koha e ndëshkimit.

22 Zëri i tij vishkëllimë e gjarprit!

Ja, po vijnë turr me ushtri,

me sëpata në të po sulen,

porsi druvarë të vërtetë!

23 Ja, rrëzuan pyllin ‑ është fjala e Zotit ‑ që nuk mund të llogaritet.

Janë më shumë se karkalecat,

burrë nuk del që t’i numërojë!

24 E mbuloi turpi bijën e Egjiptit,

ra në dorë të popullit të Veriut!

25 Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit, thotë: “Ja, unë do ta ndëshkoj Amonin, e Nos, faraonin, Egjiptin, zotat e tij, mbretërit e tij, faraonin e ata që e vunë besimin e vet në të.

26 Do t’i lëshoj në dorë të atyre që kërkojnë t’ua marrin kokën, në dorën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të shërbëtorëve të tij. Pastaj Egjipti do të banohet si në kohën e mëparshme ‑ është fjala e Zotit.

27 Por ti mos druaj, Jakob, shërbëtori im,

mos ki frikë, o Izrael!

Ja, unë do të të shpëtoj prej së largu,

farën tënde nga toka e skllavërisë.

Jakobi në paqe do të kthehet,

i sigurt do të jetë,

kush më s’do ta trembë!

28 Mos druaj, Jakob, shërbëtori im,

‑ është fjala e Zotit ‑

sepse unë jam me ty:

do t’i shfaros të gjithë popujt

ndër të cilët unë të pata tretur,

kurse ty unë nuk do të të zhduk,

por me masë unë do të të ndëshkoj,

pa të ndëshkuar krejtësisht s’do të të lë.”



Fjala e Zotit