1 Fjala që i qe drejtuar Jeremisë nga ana e Zotit, pasi Nabuzardani, kryekoman‑ danti i rojës trupore, e lëshoi nga Rama, kur, të lidhur në hekura, e hoqi nga mesi i atyre, që po treteshin në mërgim nga Jerusalemi e Judeja e po dërgoheshin për Babiloni.
2 Komandanti i rojës trupore, pasi e ndau veçmas Jereminë, i tha: “Zoti, Hyji yt, e ka parakallëzuar këtë të keqe kundër këtij vendi
3 dhe e çoi në vend. Zotynë bëri ashtu siç ka thënë, sepse mëkatuat kundër Zotit e nuk e dëgjuat zërin e tij, këndej edhe ju erdhi kjo e keqe.
4 Tashti, ja, unë po të liroj sot nga hekurat me të cilat të kishin lidhur duarsh. Nëse të pëlqen të më shoqërosh në Babilon, eja: sytë e mi do të kujdesen për ty, por, në qoftë se nuk të pëlqen të vish me mua në Babilon, rri këtu. Ja, mbarë vendi është i hapur për ty: shko ku të zgjedhësh ti e ku ty të të pëlqejë.”
5 Ende pa nisur të kthehet, i tha: “Kthehu te Godolia, biri i Ahikamit, birit të Safanit, të cilin mbreti i Babilonisë e bëri kryetarin e qyteteve të Judës; bano, pra, me të në mesin e popullit ose shko gjithkund që të të pëlqejë të shkosh.” Kryekomandanti i rojës trupore i dha ushqime e dhurata dhe e la të lirë.
6 Jeremia atëherë u drejtua për Masfë te Godolia, biri i Ahikamit, dhe banoi me të në mes të popullit që kishte mbetur në vend.
7 Kur krerët e ushtrisë, që ishin arratisur nëpër krahina, edhe njerëzit e tyre, morën vesh se mbreti i Babilonit e kishte vënë Godolinë, birin e Ahikamit, mëkëmbës të vendit dhe se ia kishte lënë në kujdes burra e gra e fëmijë dhe skamnorët e vendit që nuk kishin qenë shpërngulur në Babilon,
8 erdhën në Masfë te Godolia: d. m. th. Ismaeli, biri i Natanisë, Johanani e Jonatani, bijtë e Kareesë, Sareasi, biri i Tanehumetit, të bijtë e Ofiut që ishin nga Netofa, Jezonia, biri i Maakatit, erdhën pra, ata dhe njerëzit e tyre.
9 Godolia, biri i Ahikamit, të birit të Safanit, u bëri këtë përbetim atyre dhe shoqëruesve të tyre: “Mos kini frikë t’u shërbeni kaldenjve. Banoni në vend dhe shërbejini mbretit të Babilonisë, dhe do të jeni mirë.
10 Ja, unë banoj në Masfë porsi përgjegjës kaldenjve që vijnë ndër ne. Ju vilni vreshtat, mblidhni të korrat dhe ullinjtë, vendosini në enët tuaja dhe qëndroni në qytetet tuaja që i keni pushtuar.”
11 Po ashtu edhe të gjithë judenjtë, që ishin në Moab e ndër bijtë e Amonit, në Edom dhe në çdo krahinë, si morën vesh se mbreti i Babilonisë e kishte lënë një tepricë në Jude dhe se qeveritar mbi ta kishte vënë Godolinë, birin e Ahikam Safanit,
12 u kthyen, pra, të gjithë judenjtë nga çdo vend, ku ishin arratisur dhe u rikthyen në tokën e Judesë te Godolia, në Masfë, dhe prodhuan verë e të korra shumë të begatshme.
13 Mirëpo, Johanani, biri i Koreesë, si dhe të gjithë prijësit e ushtrisë, që kishin qenë shpërndarë nëpër krahina, shkuan te Godolia në Masfë
14 dhe i thanë: “Dije se Baali, mbreti i amonëve, e ka dërguar Ismaelin, birin e Natanisë, për ta marrë shpirtin tënd, ” por Godolia, biri i Ahikamit, nuk u besoi.
15 Atëherë Johanani, biri i Kareesë, i tha Godolisë në Masfë vetëm për vetëm: “Po shkoj e po e vras Ismaelin, birin e Natanisë, në moh, që ai të mos të të vrasë ty e të mos shpërndahen judenjtë që janë bashkuar rreth teje e të mos sharrojë teprica e Judës.”
16 Por Godolia, biri i Ahikamit, i tha Johananit, birit të Kareesë: “Ruaju se e bën atë gjë! Sepse është gënjeshtër çka po thua për Ismaelin.”