< Jer 36 Jer 38 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 37)
37

1 Sedecia, biri i Jozisë, u bë mbret në vend të Konisë, birit të Joakimit. Sedecinë e vuri mbret Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, në tokën e Judës.

2 Por as ky, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët e Zotit që i foli nëpërmjet gojës së profetit Jeremi.

3 Mbreti Sedeci dërgoi Jukalin, djalin e Selemisë, edhe priftin Sofoni, djalin e Maasisë, te Jeremia profet me këtë porosi: “Lutju për ne Zotit, Hyjit tonë!”

4 Jeremia asohere shkonte e vinte nëpër popull i lirë; ende nuk e kishin burgosur.

5 Ndërkaq, ushtria e faraonit po depërtonte nga Egjipti e, kaldenjtë, që e rrethonin Jerusalemin, posa e morën këtë lajm, u larguan nga Jerusalemi.

6 Atëherë fjala e Zotit i qe drejtuar profetit Jeremi:

7 “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Kështu thuajini mbretit të Judës që ju dërgoi të më pyetni: Ja, ushtria e faraonit që ju erdhi në ndihmë, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.

8 Atëherë do të kthehen kaldenjtë dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë dhe do ta djegin me zjarr.

9 Kështu thotë Zoti: Mos e rreni vetveten duke thënë: ‘Shkuan kaldenjtë e na e morën të ligën’, sepse ata nuk do të largohen.

10 Po edhe sikur t’ia dilni ta shpartalloni tërë ushtrinë e kaldenjve që luftojnë kundër jush e nëse mbesin edhe vetëm disa të plagosur, ata do të çohen prej çadrave të tyre dhe do ta djegin me zjarr këtë qytet!”

11 Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi për shkak të ushtrisë së faraonit,

12 Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Beniaminit me qëllim që të rregullojë një çështje ndarjeje të pronës me të vetët. Mirëpo,

13 kur arriti te dera e Beniaminit, në derë ishte një farë Jerie, biri i Selemisë, të birit të Hananisë, rojtar i derës. Atëherë e kapi profetin Jeremi e tha: “Ti po ikën te kaldenjtë!”

14 Jeremia iu përgjigj: “Është gënjeshtër! Unë nuk po shkoj te kaldenjtë!” Por ai s’deshi të marrë vesh, por Jeria e kapi Jereminë dhe e çoi te paria.

15 Paria u hidhëruan kundër Jeremisë, e rrahën dhe e burgosën në shtëpinë e shkruesit Jonatan: sepse atë e kishin shndërruar në burg.

16 Kështu Jeremia u fut në një sternë me hark në dhe; aty Jeremia ndenji për shumë ditë.

17 Mbreti Sedeci dërgoi për ta marrë dhe, fshehtas, në shtëpinë e vet e pyeti: “A kemi ndonjë fjalë prej Zotit?” Jeremia iu përgjigj:” Ka!”, dhe vazhdoi: “Do të biesh në dorën e mbretit të Babilonit!”

18 Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeci: “Ç’gabim paskam bërë unë ndaj teje, ndaj shërbëtorëve të tu dhe ndaj këtij populli që më hodhët në burg?

19 Ku janë profetët tuaj që ju profetizonin dhe ju thonin: ‘Mbreti i Babilonit nuk do t’ju sulmojë as ju as këtë vend?’

20 Tashti po të lutem, më dëgjo Imzot, o mbret, merre parasysh lutjen time dhe mos më rikthe në shtëpinë e Jonatanit, shkruesit, që të mos vdes atje.”

21 Këndej mbreti Sedeci urdhëroi të çohet Jeremia në oborrin e burgut, t’i jepet çdo ditë një bukë ndore e sjellë nga rruga e Furrtarëve derisa të mos ketë më bukë në qytet. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.



Fjala e Zotit