< Jer 35 Jer 37 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 36)
36

1

Në të katërtin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, prej Zotit i qe drejtuar Jeremisë kjo fjalë:

2 “Merre një vëllim dhe shkruaj në të të gjitha fjalët, që t’i kam thënë kundër Izraelit, Judës dhe kundër të gjithë popujve qyshkur nisa të të flas, që prejditëve të Jozisë deri në ditën e sotme.

3 Ndoshta ata të shtëpisë së Judës, duke dëgjuar për të gjitha të këqijat që kam në mend t’ua bëj, do ta lënë secili rrugën e vet të mbrapshtë dhe unë atëherë do t’ua fal fajësinë dhe mëkatin e tyre.”

4 Atëherë Jeremia e thirri Barukun, birin e Nerisë, dhe Baruku i shkroi, gjithçka që i thoshte Jeremia, në një rrotull të gjitha fjalët e Zotit, që ia kishte thënë.

5 Atëherë Jeremia e urdhëroi Barukun e i tha: “Unë nuk kam leje të shkoj dhe nuk guxoj të shkoj në Shtëpinë e Zotit.

6 Hyr, pra, ti dhe në ditë agjërimi lexoje rrotullën në të cilën i ke shkruar fjalët e Zotit si të kam treguar unë që të dëgjojë populli në Shtëpinë e Zotit. Lexoju edhe të gjithë judenjve që vijnë prej qyteteve të tyre që edhe ata t’i dëgjojnë.

7 Ndoshta bie lutja e tyre para Zotit dhe secili kthehet nga rruga e vet e mbrapshtë; sepse i madh është zemërimi dhe hidhërimi që Zoti mendon ta zbrazë kundër këtij populli.”

8 Baruku, biri i Nerisë, bëri gjithçka i kishte urdhëruar profeti Jeremi, i lexoi në Shtëpinë e Zotit fjalët e Zotit nga rrotulla.

9 Të pestin vit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, të nëntin muaj, u caktua një agjërim në praninë e Zotit për mbarë popullin e Jerusalemit dhe për gjithë shumicën që ngarendte nga qytetet e Judës në Jerusalem.

10 Baruku ia lexoi mbarë popullit fjalët e Jeremisë nga rrotulla në Shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gamarisë, birit të Safanit, shkruesit, në parahyrjen e lartë, në hyrjen e Derës së Re të Shtëpisë së Zotit.

11 Kur Mikeja, biri i Gamarisë së Safanit, i dëgjoi fjalët e Zotit nga libri,

12 zbriti në pallatin e mbretit, në dhomën e shkruesit. Aty ndodheshin të gjithë prijësit: Elisama, shkruesi, Dalaja, biri i Semajës, Elnatani, biri i Ahoborit, Gamaria, biri i Safanit, Sedecia, biri i Hananisë dhe të gjithë bujarët.

13 Mikeja ua tregoi të gjitha fjalët që i dëgjoi kur Baruku ia lexoi nga rrotulla popullit.

14 Atëherë të gjithë prijësit dërguan te Baruku Judin, birin e Natanisë, e Selamin, birin e Kusit, me këto fjalë: “Merre me vete rrotullën prej së cilës i ke lexuar popullit dhe eja!” Kështu, pra, Baruku, biri i Nerisë, e mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.

15 Ata i thanë: “Ulu e na i lexo këto gjëra!” Baruku ua lexoi.

16 Kur, pra, i dëgjuan të gjitha fjalët, mbetën shtang nga habia dhe i thanë Barukut: “Na duhet t’ia lajmërojmë mbretit të gjitha këto fjalë.”

17 E pyetën Barukun me këto fjalë: “Na trego si i ke shkruar të gjitha këto fjalë nën diktatin e tij.”

18 E Baruku iu përgjigj: “Ai m’i thoshte me gojë të gjitha këto fjalë, kurse unë i shkruaja në rrotullën me ngjyrë të zezë.”

19 Atëherë princat i thanë Barukut: “Shko e fshihu ti dhe Jeremia dhe askush të mos e dijë se ku jeni!”

20 Pasi e vendosën rrotullën në shkrojtoren e Elisamës, shkruesit, hynë në tremen e pallatit të mbretit. Ia treguan mbretit të gjitha.

21 Mbreti e dërgoi Judin të shkojë e ta sjellë rrotullën. Ky e mori nga dhoma e shkruesit Elisamë, ia lexoi mbretit dhe të gjithë bujarëve që ishin rreth mbretit.

22 Mbreti po ndodhej në banesën dimërore ‑ ishte muaji i nëntë ‑ përpara tij ishte një tangar plot me prush.

23 Kur Judi i lexonte tri ose katër shtylla, mbreti i priste me një brisk shkruesi dhe i hidhte në zjarrin, që ishte në prushore, derisa mbarë rrotulla mori fund në zjarrin e prushores.

24 As s’i kapi frika as s’i shqyen petkat as mbreti as të gjithë shërbëtorët e tij megjithëse i dëgjuan të gjitha ato fjalë.

25 Vërtet, Elnatani, Delaja e Gamaria iu lutën ngrohtësisht mbretit që të mos e digjte librin, por ai nuk i dëgjoi.

26 Atëherë mbreti e urdhëroi djalin e mbretit Jeremielit, Sarajës, birit të Azrielit edhe Selemisë, birit të Abdeelit ta kapin shkruesin Baruk e profetin Jeremi; por ata i kishte fshehur Zoti.

27 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Jeremisë, pasi mbreti e dogji rrotullën me fjalët, të cilat prej gojës së Jeremisë i kishte shkruar Baruku. Zoti i tha:

28 “Përsëri merre një rrotull tjetër dhe shkruaj në të të gjitha fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë, të cilën e dogji Joakimi, mbreti i Judës.

29 E për Joakimin, mbretin e Judës, thuaj: Kështu thotë Zoti: Ti e dogje atë rrotull duke thënë: ‘Pse shkrove në të e shpalle: Me siguri do të vijë mbreti i Babilonit, do ta shkretojë këtë vend dhe do të zhdukë prej faqes së tij njerëz e kafshë?’

30 Prandaj kështu thotë Zoti kundër Joakimit, mbretit të Judës: Trashëgimtar i tij nuk do të rrijë mbi fronin e Davidit; kufoma e tij do të flaket ditën në vapë e natën në të ftohtë.

31 Do ta ndëshkoj atë, farën e tij dhe shërbëtorët e tij për shkak të fajësisë së tyre. Do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jerusalemit dhe mbi judenjtë të gjitha të vështirat me të cilat u jam kërcënuar e nuk më dëgjuan.”

32 Jeremia mori një rrotull tjetër, ia dha Barukut, birit të Nerisë, shkruesit. Ky i shkroi në të, nën diktatin e Jeremisë, të gjitha fjalët e librit, që e dogji në zjarr Joakimi, mbreti i Judës. Për më tepër qenë shtuar edhe shumë fjalë të tjera të ngjashme me ato.



Fjala e Zotit