< Jer 34 Jer 36 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 35)
35

1 Fjala që prej anës së Zotit i qe drejtuar Jeremisë në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës:

2 “Shko ndër rekabitë, fol me ta, bjeri e futi në një dhomë të Shtëpisë së Zotit dhe jepu të pinë verë.”

3 Atëherë mora Jazoninë, birin e Jeremisë, birit të Habsanisë, vëllezërit e tij, të gjithë bijtë e tij ‑ mbarë barkun e rekabitëve.

4 I solla në Tempullin e Zotit, në dhomën e bijve të Hananit, birit të Jegdalisë, njeriut të Hyjit, që ishte përbri dhomës së princave, mbi dhomën e Maasisë, birit të Salumit, që ishte rojtari i derës.

5 Para bijve të barkut të rekabitëve u solla poçat plot me verë dhe kupat dhe u thashë: “Pini verë!”

6 Por ata m’u përgjigjën: “Ne nuk do të pimë verë, sepse Jonadabi, biri i Rekabit, babai ynë, na urdhëroi e na tha: ‘Mos pini verë ju as bijtë tuaj, kurrën e kurrës!

7 Mos ndërtoni shtëpi, mos mbillni farë as mos mbëltoni vreshta as mos kini prona, por banoni në çadra të gjitha ditët e jetës suaj që të jetoni ditë të shumta përmbi dheun ku jetoni si endacakë’.

8 Kështu, pra, e dëgjuam urdhrin e Jonadabit, birit të Rekabit, babait tonë, në gjithçka na urdhëroi, kështu që nuk do të pimë verë gjatë gjithë jetës sonë, as ne as gratë tona, as bijtë e bijat tona,

9 s’do të ndërtojmë shtëpi për të banuar, s’do të kemi as vreshta as ara të mbjella,

10 e do të banojmë nën tenda. Ne me bindje u përmbahemi gjithçkaje që na urdhëroi Jonadabi, babai ynë.

11 Por, kur Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, nisi luftën kundër këtij vendi, ne thamë: ‘Ejani të hyjmë në Jerusalem e t’i shpëtojmë ushtrisë së kaldenjve e ushtrisë siriane. Dhe qëndruam në Jerusalem.”

12 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha:

13 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Shko e thuaju njerëzve të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: Vallë, a nuk do ta pranoni mësimin tim e nuk do t’i dëgjoni fjalët e mia? ‑ është fjala e Zotit ‑.

14 Më të forta qenë fjalët e Jonadabit, të birit të Rekabit, që u urdhëroi bijve të vet që të mos pinë verë, e nuk pinë deri në ditën e sotme, sepse e dëgjuan urdhrin e babait të vet! Kurse unë ju kam urdhëruar juve me kujdesin më të madh e vazhdimisht, por nuk më dëgjuat.

15 Unë ju dërgova me kujdes e vazhdimisht shërbëtorët e mi, profetët për t’ju thënë: Le të kthehet secili nga udha e vet e mbrapshtë dhe përmirësojeni veprimtarinë tuaj, mos i ndiqni hyjnitë e huaja e mos i adhuroni ato e atëherë do të banoni në tokën që jua dhurova juve e etërve tuaj; por ju nuk më vutë vesh as nuk më dëgjuat.

16 Shiko, pra, bijtë e Jonadabit, të birit të Rekabit, e dëgjuan urdhrin e babait të vet që ua kishte dhënë; kurse populli im nuk më dëgjoi mua.

17 Prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Ja, unë po i sjell mbi Judën, mbi të gjithë banorët e Jerusalemit të gjitha ato të vështira me të cilat u jam kërcënuar, sepse unë u kam folur e ata nuk më dëgjuan, i thirra e ata nuk m’u përgjigjën.”

18 Atëherë Jeremia i tha barkut të Rekabit: “Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Pasi e dëgjuat urdhrin e Jonadabit, babait tuaj, dhe i dëgjuat të gjitha urdhërimet e tij dhe zbatuat gjithçka ju kishte urdhëruar,

19 prandaj kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Kurrën e kurrës Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t’i mungojë pasardhësi që do të qëndrojë para fytyrës sime çdo ditë!”



Fjala e Zotit