< Jer 30 Jer 32 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 31)
31

1 Po, në atë kohë ‑ është fjala e Zotit ‑

unë do të jem Hyji i të gjitha fiseve të Izraelit

dhe ato do të jenë populli im.

2 Kështu thotë Zoti:

Gjeti hir në shkretëtirë

populli që i shpëtoi shpatës:

Izraeli po shkon drejt vendbanimit të vet!

3 Prej së largu mua Zoti m’u dëftua:

“Të desha me dashuri të amshueshme,

prandaj ruajta për ty mëshirën.

4 Përsëri do të të ndërtoj e do të ndërtohesh,

o virgjëra e Izraelit!

Përsëri do të stolisesh me tupanat e tu

e do të hidhesh në valle!

5 Prapë do të mbëltosh vreshta

në malet e Samarisë:

do të mbëltojnë mbëltuesit

e do të vjelin të vjela!

6 Sepse do të vijë dita

kur rojtarët do të bërtasin

në malin e Efraimit:

“Mëkëmbni! Të ngjitemi në Sion,

te Zoti, Hyji ynë!”

7 Sepse kështu thotë Zoti:

Brohoritni me gëzim për Jakobin,

lavdëroni të parin ndër popuj,

t’ju kumtojë zëri, këndoni e thoni:

‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd,

Tepricat e Izraelit!’

8 Ja, unë po i kthej nga toka e Veriut,

do t’i bashkoj nga skajet e tokës:

ndër ta janë të verbër e të shqepët,

së bashku shtatzëna e ajo që të lind:

bashkësi e madhe që këtu po kthehet!

9 Shkuan duke vajtuar,

do t’i kthej duke lotuar nga gëzimi,

do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve,

udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua,

sepse jam baba i Izraelit,

Efraimi është djali im i madh.

10 Dëgjojeni, o popuj, fjalën e Zotit,

shpalleni ndër ishuj të largët!

Thoni:

“Ai që e shpërndau Izraelin

përsëri po e bashkon,

do ta ruajë porsi bariu grigjën e vet”.

11 Sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

e çliroi nga dora e më të fortit.

12 Do të vijnë e do të këndojnë lavde

në malin e Sionit,

do të ngarendin drejt të mirave të Zotit,

drejt drithit, verës e vajit,

drejt grigjave e drejt lorive.

Shpirti i tyre do të jetë kopsht i ujitur,

urinë kurrë më s’do ta sprovojnë!

13 Atëherë vajzat do të galdojnë ndër valle,

djelmoshat së bashku me pleq.

Zinë e tyre në galdim do ta kthej,

do t’i ngushëlloj e do t’i gëzoj pas vuajtjes.

14 Priftërinjtë do t’ua shujtoj me dhjamë,

popullin tim do ta ngij me të mira

‑ është fjala e Zotit.

15 Kështu po thotë Zotynë:

‘Po dëgjohet një zë në Ramë!

Vajtim, gjëmë edhe dënesje:

vajton Rakela bijtë e vet!

Assesi s’mund të pajtohet,

pse ata më nuk janë!’

16 Kështu thotë Zoti:

‘Pusho më së vajtuari,

edhe sytë e tu nga lotët,

dhimba jote ka shpagim:

‑ është fjala e Zotit ‑

ata do të kthehen prej dheut të armikut.

17 Ka shpresë për pasardhës të tu

‑ është fjala e Zotit

bijtë e tu do të kthehen në tokë të vet!’

18 Po e dëgjoj fare mirë

Efraimin tek shpërngulet:

“Ti më ndëshkove e unë nxura mend

porsi mëzati i pamësuar;

bëj që të kthehem e unë do të kthehem,

sepse ti je Zoti, Hyji im.

19 Pasi ta ktheva shpinën, zura të pendohem,

pasi më bëre ta njoh gabimin,

kokën time e rraha me grushte;

i turpëruar jam e i skuqur,

sepse e mbarta turpin e rinisë sime!”

20 Vallë, Efraimi a s’është biri im i dashur,

a s’e kam unë djalë për zemër?

Pse, sa herë që i kërcënohem,

aq herë prapë mendoj për të!

Prandaj zemra për të më dridhet:

kam dhimbje, po kam dhimbje për të!’

‑ është fjala e Zotit.

21 Ngul gurë tregues të udhës,

vër shenja që të të tregojnë rrugën,

përqëndroje mendjen në udhë,

në rrugën, nëpër të cilën ece!

Kthehu, Virgjëra e Izraelit,

kthehu në qytetet e tua!

22 Deri kur kështu do të endesh,

bija ime kundërshtare?!

Diçka të re po krijon Zoti në tokë:

Gruaja do ta rrethojë Burrin.

23 Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: “Gjithnjë do të thuhet kjo fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e tij, kur unë ta kem ndryshuar fatin e tyre:

Të bekoftë Zoti,

banesë e Drejtësisë,

ty, o Mali i Shenjtë!

24 Në këtë vend do të ngulë Juda dhe të gjithë qytetet e tij së bashku, bujqit dhe ata që ruajnë grigjat.

25 Sepse:

Unë do ta përtërijë shpirtin e mekur,

do ta ngij çdo shpirt të marrakotur.

26 Sepse:

Posa u zgjova, vërejta:

sa e ëmbël që ishte ëndrra ime!

27 “Ja, po vijnë ditët ‑ thotë Zoti ‑ e do ta mbjell në shtëpinë e Izraelit e në shtëpinë e Judës farën e njerëzve e farën e bagëtive.

28 Dhe, sikurse qeshë i kujdesshëm kundër tyre për të çrrënjosur, për të shkatërruar, për të shpërndarë, për të shpërngulur e për të ndëshkuar, kështu do të jem i kujdesshëm ndaj tyre për të ndërtuar e për të mbjellë ‑ është fjala e Zotit.”

29 Në ato ditë nuk do të thuhet më:

“Etërit hëngrën rrush të thartë

dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve”,

30 por secili do të vdesë për shkak të fajit të vet. Kushdo që të hajë rrush të papjekur, do t’i mpihen dhëmbët!

31 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re.

32 Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje qenë ata që e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre ‑ është fjala e Zotit.

33 Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit ‑ është fjala e Zotit ‑ : Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im.

34 Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri‑tjetrin e vëllai vëllanë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ‑ thotë Zoti ‑ sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.”

35 Kështu thotë Zoti,

Ai që diellin e bën të ndriçojë ditën,

hënën e yjet që të ndriçojnë natën,

që e tund detin e i ushtojnë valët,

që e ka emrin Zoti i Ushtrive:

36 Nëse këto ligje para meje zhduken,

‑ është fjala e Zotit ‑

atëherë do të zhduket edhe fara e Izraelit,

e s’do të jetë popull para meje askurrë.

37 Kështu thotë Zoti:

Nëse mund të matet qielli lart,

nëse themelet e tokës poshtë mund të gjurmohen,

atëherë unë do ta flak farën e Izraelit

për gjithçka që ai ka bërë,

‑ është fjala e Zotit.

38 Ja, po vijnë ditët ‑ është fjala e Zotit ‑ dhe Qyteti i Zotit do të rindërtohet nga pirgu Hananeel deri në Derën e Këndit,

39 e pastaj do të zgjatet litari i matjes drejt deri në kodrën Gareb dhe do të kthehet drejt Goasë.

40 Pastaj mbarë lugina e kufomave dhe e hirit si dhe mbarë krahina deri te përroi Cedron dhe deri në Këndin e Derës së Kuajve në Lindje, do të jenë të kushtuara Zotit: kurrë më s’do të çrrënjoset as nuk do të rrënohet!



Fjala e Zotit