1 Po atë vit, në fillim të mbretërisë së Sedecisë, mbretit të Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, më tha Anania, biri i Azurit, profeti i Gabaonit, në Tempullin e Zotit ndër sy të priftërinjve e të mbarë popullit:
2 ”Kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: E copëtova zgjedhën e mbretit të Babilonisë!
3 Edhe dy vjet e unë do të bëj të kthehen në këtë vend të gjitha enët e Shtëpisë së Zotit, që i pati marrë Nabukodonozori, mbreti i Babilonisë, e i pati çuar në Babiloni.
4 Po edhe Jekoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, me të gjithë të humburit e Judës, që i shpuri në Babiloni, do t’i kthej në këtë vend ‑ është fjala e Zotit ‑ sepse unë do ta copëtoj zgjedhën e mbretit të Babilonisë.”
5 Atëherë profeti Jeremi iu përgjigj Ananisë profet, para syve të priftërinjve dhe ndër sy të mbarë popullit, që ishte në Shtëpinë e Zotit,
6 dhe profeti Jeremi i tha: “Ashtu qoftë! Ashtu e bëftë Zoti! Dashtë i madhi Zot e i çoftë në vend gjërat që ti i parakallëzove, që të kthehen enët në Shtëpinë e Zotit edhe të gjithë të shpërngulurit të kthehen prej Babilonisë në këtë vend!
7 Megjithatë, dëgjoje mirë këtë fjalë që po ta them në veshë të tu e në veshë të mbarë popullit:
8 Profetët që qenë para meje e para teje, prej kohëve më të lashta, parakallëzuan kundër vendeve të shumta e mbretërive të mëdha luftë, vuajtje e murtajë;
9 kurse për profetin që parakallëzon paqen, kur t’i plotësohet fjala, atëherë do të dihet se është profet, të cilin vërtet e ka dërguar Zoti.”
10 Atëherë profeti Anani e hoqi prej qafës së profetit Jeremi zgjedhën dhe e theu.
11 Atëherë foli Anania në sy të mbarë popullit e tha: “Kështu thotë Zoti: Kështu do ta copëtoj zgjedhën e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë, pas dy vjetësh prej qafës së të gjithë popujve.”
Atëherë profeti Jeremi shkoi në punë të vet.
12 Tashti, pasi profeti Anani e theu zgjedhën që e hoqi nga qafa e profetit Jeremi, fjala e Zotit i qe drejtuar Jeremisë profet. I tha:
13 ”Shko e thuaji Ananisë: Kështu thotë Zoti: I theve zgjedhat e drunjta? Në vend të tyre do të duhet t’i punosh të hekurta!
14 Sepse, kështu thotë Zoti i Ushtrive, Hyji i Izraelit: Zgjedhë të hekurt mbërtheva mbi qafën e të gjithë këtyre popujve që të bëhen skllevër të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonisë: dhe do të bëhen skllevërit e tij; për më tepër atij ia lashë në shërbim deri edhe egërsirat e malit!”
15 Profeti Jeremi i tha profetit Anani: “Dëgjo, Anani! Zoti ty nuk të ka dërguar e ti bëre që populli ta besojë gënjeshtrën!
16 Prandaj kështu thotë Zoti: Ja, unë po të dëboj nga faqja e këtij vendi; sivjet do të vdesësh, sepse ti ke predikuar kryengritjen kundër Zotit!”
17 Po atë vit, në muajin e shtatë, vdiq profeti Anani.