< Jer 25 Jer 27 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 26)
26

1 Në fillim të mbretërimit të Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, Jeremisë i qe drejtuar prej Zotit kjo fjalë:

2 ”Kështu thotë Zoti: Qëndro në treme të Shtëpisë së Zotit dhe thuaju të gjitha qyteteve të Judës, prej të cilave vijnë për të adhuruar në Shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që unë të kam urdhëruar t’ua thuash: ruaju se e mungon ndonjë fjalë.

3 Ndoshta dëgjojnë e kthehen secili nga udha e vet e keqe, e të pendohem edhe vetë për të keqen që kam në mend t’ua bëj atyre për shkak të veprave të tyre të këqija.

4 Thuaju, pra: Kështu thotë Zoti: Nëse nuk do të më dëgjoni të ecni sipas Ligjit tim, që jua kam dhënë,

5 duke i dëgjuar fjalët e shërbëtorëve të mi profetë, që unë i kam dërguar vazhdimisht, megjithëse deri tashti nuk i keni dëgjuar,

6 do të sillem me këtë Tempull porsi me Silon e këtë qytet do ta bëj mallkim për të gjithë popujt e tokës.”

7 Priftërinj, profetë e mbarë populli e dëgjuan Jereminë duke i folur këto fjalë në Shtëpinë e Zotit.

8 Kur Jeremia u dha fund të gjitha fjalëve që ia kishte urdhëruar Zoti t’ia thotë mbarë popullit, atëherë e kapën priftërinjtë, profetët e mbarë populli e thanë: “Do të të shkojë koka!

9 Pse ti e bëre këtë profeci në emër të Zotit: ‘Ky Tempull do të bëhet si Siloja e ky qytet do të shkretohet, sepse askush në të nuk do të banojë!’“ Dhe u grumbullua kundër Jeremisë mbarë populli në Shtëpinë e Zotit.

10 I dëgjuan këto fjalë edhe prijësit e Judës, erdhën nga Pallati i mbretit në Shtëpinë e Zotit dhe zunë vend në hyrje te dera e Re e Tempullit të Zotit.

11 Atëherë priftërinjtë e profetët u thanë krerëve dhe mbarë popullit: “Ky njeri meriton gjykimin me vdekje, sepse ka profetizuar kundër këtij qyteti siç dëgjuat me veshët tuaj.”

12 Por Jeremia u tha të gjithë prijësve dhe mbarë popullit: “Zoti më dërgoi të profetizoj kundër kësaj Shtëpie e kundër këtij qyteti të gjitha këto fjalë që i dëgjuat.

13 Tashti, pra, përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja dhe dëgjojeni fjalën e Zotit, Hyjit tuaj: atëherë edhe Zoti do të pendohet për të keqen që ju ka kërcënuar se do t’jua bëjë.

14 Sa për mua, ja, unë jam në duart tuaja. Bëni me mua si jua pret mendja se është mirë e drejt.

15 Megjithatë, dijeni mirë se, në qoftë se ju më vritni, ju po e ngarkoni vetveten, këtë qytet e banorët e tij, me gjak të pafajshëm; sepse me të vërtetë Zoti më dërgoi ndër ju për t’ua shpallur veshëve tuaj të gjitha këto fjalë.”

16 Atëherë prijësit e mbarë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: “Ky njeri nuk duhet të dënohet me vdekje, sepse na ka folur në emër të Zotit, Hyjit tonë.”

17 Atëherë u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i thanë mbarë bashkësisë së popullit:

18 ”Mike Morastiti ishte profet në ditët e Ezekisë, mbretit të Judës, dhe i tha mbarë popullit të Judës: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive:

Sioni do të lërohet porsi ara,

grumbull gurësh do të bëhet Jerusalemi,

kurse Mali i Tempullit një pyll i madh.’

19 Vallë, a me vdekje e dënoi atë Ezekia, mbreti i Judës, dhe mbarë Juda? Pse, a vallë, nuk e druajtën Zotin dhe nuk u lutën para fytyrës së tij dhe Zoti vallë a s’u pendua për të keqen me të cilën u ishte kërcënuar? E ne? Ne po e ngarkojmë shpirtin tonë me një të keqe kaq të madhe!”

20 Po ishte edhe një njeri që profetizonte në emër të Zotit; ishte Uria, biri i Semeut, nga Kariatiarimi. Edhe ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi krejtësisht si Jeremia.

21 I dëgjoi mbreti Joakim, të gjithë të mëdhenjtë e prijësit e tij këto fjalë dhe mbreti kërkoi ta vrasë. Mori vesh Uria, u tremb, iku dhe u strehua në Egjipt.

22 Atëherë mbreti Joakim dërgoi njerëzit në Egjipt, Elnatamin, birin e Akborit, edhe disa vetë bashkë me të në Egjipt.

23 Ata e morën Urinë prej Egjiptit dhe e çuan te mbreti Joakim. Ky urdhëroi t’i pritet me shpatë koka dhe kufomën e tij e hodhi në varreza të vegjëlisë.

24 Jereminë e mori në ndore Ahikami, biri i Safanit, që të mos lihej në duar të popullit e të mos vritej.



Fjala e Zotit