1 Dhe, ja, Zoti më dëftoi dy kaçile plot me fiq të vëna para Tempullit të Zotit, pasi Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, e treti Jehoninë, birin e Joakimit, mbretin e Judës, nga Jerusalemi, bashkë me princat e tij, me mjeshtër e me farkëtarë dhe i çoi në Babilon.
2 Njëra kaçile i kishte fiqtë shumë të mirë, siç janë fiqtë e hershëm, kurse kaçilja tjetër i kishte fiqtë e prishur, që s’mund të haheshin, sepse ishin të këqij.
3 Atëherë Zoti më tha: “Çka po sheh, Jeremi?” Unë u përgjigja: “Fiq, fiq të mirë, shumë të mirë, edhe të këqij, shumë të këqij që nuk mund të hahen, sepse janë të këqij.”
4 Atëherë fjala e Zotit më qe drejtuar e tha:
5 ”Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Sikurse për këta fiq të mirë, ashtu do të shikoj me kujdes për të mirën e të shpërngulurve të Judesë, të cilët i treta prej këtij vendi në tokën e kaldenjve.
6 Me dhimbje do t’i prir sytë e mi mbi ta e do t’i kthej përsëri në këtë vend, do t’i ndërtoj e nuk do t’i rrënoj, do t’i mbjell e më nuk do të çrrënjos.
7 Do t’u jap një zemër për të më njohur se unë jam Zoti; ata do të jenë populli im e unë do të jem Hyji i tyre, sepse do të kthehen kah unë me gjithë zemrën e tyre.
8 Por siç veprohet me fiqtë e këtij, që s’mund të hahen, pse janë të këqij, kështu thotë Zoti, ashtu do të veproj me Sedecinë, mbretin e Judës, e me princat e tij dhe me tepricën prej Jerusalemit, që qëndroi në këtë vend dhe me ata që banojnë në tokën e Egjiptit.
9 Do t’i bëj të jenë tmerr e pikëllim për të gjitha mbretëritë e tokës, të jenë turp e përrallë e përqeshje e mallkim në të gjitha vendet ku do t’i tres.
10 Mbi ta do të çoj shpatë, uri e murtajë derisa t’i kem zhdukur nga toka që ua dhashë atyre e etërve të tyre.”