1 Kështu flet Zoti: “Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe shpalle aty këtë fjalë
2 e thuaj: Dëgjoje fjalën e Zotit, mbreti i Judës, që rri mbi fronin e Davidit, ti e shërbëtorët e tu e populli yt, që hyni nëpër këtë derë.
3 Kështu thotë Zoti: Zbatojeni të drejtën e drejtësinë; shpëtojeni të ndrydhurin nga dora e shfrytëzuesit; mos e merrni me të keq ardhacakun, bonjakun e të vejën. Mos ndrydhni me padrejtësi e mos derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend.
4 Sepse, në qoftë se vërtet do të kujdeseni ta zbatoni këtë fjalë, atëherë nëpër dyer të këtij pallati do të hyjnë mbretërit që rrinë në fronin e Davidit, të farës së Davidit, hipur në karroca e mbi kuaj, ata e shërbëtorët e populli i tyre.
5 Por, në qoftë se nuk do t’i dëgjoni këto fjalë, kam bërë be në kokën time ‑ është fjala e Zotit ‑ ky pallat do të bëhet rrënojë e shkretë!
6 Po, kështu thotë Zoti
për pallatin e mbretit të Judës:
Për mua ishte Galaadi,
porsi kreshta e Libanit,
porse vetë do të të kthej patjetër në shkretëtirë,
në qytet të pabanueshëm.
7 Po e shuguroj vetë kundër teje
vrastarin e armët e tij,
cedrat e tu të zgjedhur t’i presin,
në zjarr t’i hedhin!
8 Kur të kalojnë paganët me shumicë në heshtje nëpër këtë qytet, secili do ta pyesë të afërmin e vet: ‘Pse ia bëri kështu Zoti këtij qyteti të madh?’,
9 do të përgjigjen: ‘Sepse e kishin lënë Besëlidhjen e Zotit, Hyjit të vet, adhuruan hyjni të huaja dhe atyre u shërbyen. ’“
10 Mos e qani të vdekurin,
as gjëmë mbi të mos bëni!
Qajeni me mallëngjim atë që u nis,
sepse më s’do të kthehet,
vendlindjen kurrë më s’do ta shohë!
11 Sepse kështu thotë Zoti lidhur me Salumin, birin e Jozisë, mbretin e Judës, që u bë mbret në vend të Jozisë, babait të vet: “Ai që doli nga ky vend, këtu më nuk do të kthehet,
12 por do të vdesë në atë vend ku do ta çojnë rob e këtë vend kurrë më s’do ta shohë.”
13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë me padrejtësi,
e dhomat e larta i ndërton me të padrejtë,
që e shtyn të punojë pa rrogë të afërmin e vet
e s’ia jep atij pagën e duhur;
14 për atë që thotë: ‘Shtëpi të madhe do të ndërtoj,
me dhoma të gjera lart’,
që për vete hap dritare
e i vesh me rrathë prej cedri
dhe i ngjyros të kuqe!
15 Pse a do të mbretërosh
vetëm pse mburresh me cedra?
Pse a s’hëngri e s’piu yt atë?
Por ai zbatonte drejtësinë e të drejtën.
Prandaj gjithçka i shkonte mbarë.
16 Mbronte çështjen e skamnorit e të të mjerit,
prandaj gjithçka i shkonte mbarë!
‘Pse a s’do të thotë kjo të më njohësh mua?’
‑ është fjala e Zotit.
17 Sytë e tu e zemra jote
s’kërkojnë tjetër, veç dobinë tënde,
të derdhësh gjakun e të pafajshëmve
të bësh shpifje e të bësh dhunë.
18 Për këtë arsye Zoti thotë kështu për Joakimin, birin e Jozisë, mbretin e Judës:
“Gjëmë atij nuk do t’i bëjnë:
‘I mjeri unë për ty, o vëlla!
I mjeri unë për ty, o motër!’
Për të në vaj nuk do t’i thuhet:
‘I mjeri unë për ty, Zotëri!
I mjeri unë për ty, Lartmadhëri!’
19 Do të varroset si gomari,
i hequr zvarrë e larg i flakur
jashtë dyerve të Jerusalemit. ’“
20 Hip në Liban edhe bërtit,
dil në Basan edhe gërthit,
bërtit të madhe mbi Abarim,
u zhdukën të gjithë dashamirësit ‘tu!
21 Të pata thënë kur ishe mirë,
por ti m’u përgjigje: “S’do të dëgjoj!”
Që i ri këtë sjellje pate,
s’e dëgjove zërin tim.
22 Kullotë për erë do të jenë barinjtë e tu,
robër do të shkojnë dashamirësit tu,
atëherë do të skuqesh e do të turpërohesh
për shkak të gjithë paudhësisë sate.
23 Ti që fronin e ke në Liban,
që ngreh çerdhen lart ndër cedra,
oh sa rreptë do të gjëmosh
kur të të vijnë dhimbjet,
porsi dhimbjet e asaj që lind!
24 “Për jetën time ‑ thotë Zoti ‑ po edhe sikur të ishte Konia, biri i Joakimit, mbreti i Judës, unazë në dorën e djathtë timen, do ta hiqja prej andej!
25 Do të të jap në dorën e atyre që e kërkojnë jetën tënde, në dorën e atyre që të bëjnë të dridhesh para fytyrës së tyre, në dorë të Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, e në duar të kaldenjve.
26 E do të të hedh, ty e nënën tënde që të lindi, në një vend të huaj, ku nuk keni lindur, dhe atje do të vdisni.
27 E në tokën ku dëshirojnë të kthehen, atje më s’do të kthehen.”
28 Enë thua e përbuzur, e thyer
është ky burri, Konia?
Një enë që askush s’e do?
Pse pra, qenë humbur,
ai e fara e tij,
hedhur në një vend
që s’e kanë njohur?
29 Tokë! O tokë, o tokë,
dëgjoje fjalën e Zotit!
30 Kështu thotë Zotynë:
“Shënojeni këtë njeri: ‘Barkshuar!
Njeri të pasukses në jetë!’
Sepse prej farës së tij
s’do të dalë asnjë burrë
që të ulet mbi fronin e Davidit
e të ketë farë pushteti më në Judë!”