< Jer 1 Jer 3 >
Lexim prej librit të Jeremise(Jer 2)
2

1 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

2 “Shko e shpall në veshët e Jerusalemit

e thuaj:

Kështu thotë Zoti:

Me mall të kujtoj,

e kujtoj afshin e rinisë sate,

dashurinë e fejesës sate,

kur më ndoqe në shkretëtirë,

në vende ku asgjë nuk mbillet.

3 Izraeli ishte gjëja e shenjtë e Zotit,

fryti i parë i të korrave të tij;

kushdo hante prej tij, e paguante:

e gjente e zeza ‑ është fjala e Zotit.

4 Dëgjojeni fjalën e Zotit,

shtëpia e Jakobit,

e ju të gjitha barqet e shtëpisë së Izraelit!

5 Kështu thotë Zoti:

Ç’paudhësi gjetën në mua etërit tuaj

që u larguan prej meje

e shkuan pas kotësisë

dhe u bënë të kotë?

6 E nuk pyetën: ‘Ku është Zoti

që na nxori nga dheu i Egjiptit,

që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë,

nëpër vend të pabanuar e të papërshkueshëm,

nëpër vend etjeje e terri,

nëpër vendin kah s’kaloi njeri,

ku askush nuk nguli të banojë?’

7 Unë ju shpura në një vend me kopshte

që t’i hani frytet e të mirat e tij,

por posa hytë e përdhosët vendin

dhe e bëtë iri trashëgimin tim.

8 Priftërinjtë nuk thanë:

‘Ku është Zoti?’.

Shtjelluesit e Ligjit nuk më njohën,

barinjtë u çuan kundër meje,

profetët profetizuan në emër të Baalit,

dhe shkuan pas atyre që asgjë s’ndihmojnë.

9 Prandaj përsëri do të bëj gjyq me ju

‑ thotë Zoti,

e me bijtë e bijve tuaj do të bëj gjyq.

10 Kaloni në ishujt e ketimëve e shihni,

dërgoni njerëz në Cedar e hollë vëzhgoni

e shihni a ka ndodhur ndonjë gjë e tillë:

11 a i ka ndërruar ndonjë popull zotat ‑

e pra, ata as zota nuk janë!,

kurse populli im e këmbeu nderin e vet

me diçka që s’vlen asgjë!

12 Çudituni mbi këtë gjë, o qiej,

tmerrohuni pa masë nga habia

‑ thotë Zoti!

13 Sepse dy të këqija bëri populli im:

më la mua, burimin e ujit të gjallë,

që të hapë për vete puse,

puse të shpuara

që s’mund ta mbajnë dot ujët!

14 Vallë a skllav është Izraeli,

apo skllav i lindur në shtëpi?

Përse, pra, erdh e u bë pre?

15 Kundër tij ulërijnë luanët,

e lartësojnë zërin e vet;

tokën e tij e kthyen në shkretëtirë:

qytetet e tij shkrumb u dogjën

e askush në to nuk banon.

16 Deri bijtë e Memfisit e të Tafnesit

kokën tënde do ta rruajnë!

17 Vallë, a thua kështu s’të ndodhi

pse e le Zotin, Hyjin tënd,

atëherë kur të printe udhës?

18 E tashti përse nisesh për Egjipt

a për të pirë ujët e Nilit?

Pse merr udhën e Asirisë

a për të pirë ujët e Lumit?

19 Po të dënon fajësia jote,

po të ndëshkon cubnia jote!

Dije e shih sa gjë e keqe

dhe sa gjë e hidhur është

të kesh lënë Zotin, Hyjin tënd,

e të mos dridhesh më përpara meje,

‑ thotë Zoti, Hyji i Ushtrive.

20 Po, ti që moti e theve zgjedhën tënde,

i këpute zinxhirët e tu

e the: ‘S’dua të shërbej!’

E megjithatë, në çdo bregore të lartë

edhe nën çdo pemë të gjelbër

shtroheshe porsi lavire.

21 E pra, unë të mbëltova vresht të zgjedhur,

çdo fidan hardhi të butë,

si atëherë erdhe e u shndërrove

në shermende të zvetënuara

të vreshtit të egër?

22 Por sikur edhe me fi të laheshe,

sa do shumë hi të kishe qitur,

para meje s’të hiqet dot njolla

e fajësisë sate

‑ thotë Zoti Hyj.

23 Si guxon të thuash: ‘S’jam e zhytur!

Nuk shkova përpas baalëve’?

Shikoji gjurmët e tua në Luginë,

kujtohu se çfarë ke bërë.

Gamilja e shpejtë që i dredh udhët e veta,

24 gomarica e egër e mësuar në stepë,

në epshin e vet erë ajrit i merr,

në kohën e mbarsimit kush mund ta zotërojë?

Të gjithë ata që e kërkojnë, nuk do të lodhen,

në mujoret e saj lehtë, po, do ta gjejnë!

25 Ruaje këmbën tënde të mos zbathet,

e fyti yt të mos thahet nga etja!

Por ti thua: ‘Është e kotë! Jo, assesi!

U dashurova me të huajt,

pas tyre do të shkoj!’

26 Sikurse turpërohet vjedhësi,

kur zihet në vjedhje,

kështu do të mbeten të turpëruar

ata të shtëpisë së Izraelit,

ata, mbretërit e tyre, princat,

priftërinjtë dhe profetët e tyre

27 që i thonë drurit: ‘Ti je im atë!’

dhe gurit: ‘Ti më linde!’

Shpinën më sollën e jo fytyrën,

por ditën e fatkeqësisë

ndihmë do të kërkojnë:

‘Çohu e na shpëto!’

28 Ku janë hyjnitë e tua

që për vete i punove!

Ata le të ngrihen e le të të shpëtojnë

ditën e fatkeqësisë sate.

Sepse, o Judë, sa qytete ke

aq janë dhe hyjnitë e tua!

29 Pse kërkoni të bëni gjyq me mua?

Të gjithë ju u çuat kundër meje,

‑ është fjala e Zotit.

30 Kot i godita bijtë tuaj:

por ata nuk e kuptuan mësimin.

Shpata juaj i përlau profetët tuaj,

porsi luani shfarosës.

31 Pjellë e keqe!

Shikoni se çka thotë Zoti:

A thua shkretëtirë iu bëra Izraelit,

apo ndoshta tokë errësirash?

Pse atëherë tha populli im:

‘U larguam, më s’vijmë te ti?’

32 Pse, a e harron virgjëra stolinë e vet,

ose nusja brezin e belit të vet?

E populli im mua më harroi

tanisa e sa ditë, pa numër!

33 Oh, sa mirë gati e bën udhën tënde

për të kërkuar dashurinë!

Madje edhe udhën e së keqes

e ke bërë shprehi për vete.

34 Në kindin e petkave të tua

u gjet gjaku i të varfërve të pafajshëm:

e nuk i zure duke të thyer shtëpinë!

E për të gjitha këto

35 ti the: ‘Unë jam i pafajshëm,

këndej larg meje është zemërimi i tij!’

Por ja, në gjyq po hyj me ty

për arsye se the: ‘S’mëkatova!’

36 Oh, sa lehtë i ndërron udhët e tua!

Po edhe prej Egjiptit do të turpërohesh,

si u turpërove prej Asirisë!

37 Po se edhe prej tij do të dalësh

me duar të tua mbi kokë tënde,

sepse Zoti i përbuzi ata,

mbi të cilët ti u mbështete;

kurrfarë dobie prej tyre s’do të kesh!



Fjala e Zotit