1 Kjo fjalë i qe drejtuar prej Zotit Jeremisë:
2 “Çohu e zbrit në shtëpi të poçarit dhe aty do t’i dëgjosh fjalët e mia!”
3 Unë zbrita në shtëpinë e poçarit dhe, ja, ai po punonte në çarkun e vet.
4 Dhe iu prish ena që ai po e punonte prej balte me duart e veta, por përsëri me atë deltinë, punoi një enë tjetër, siç i pëlqente atij të bëjë.
5 Atëherë më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha:
6 “Pse a nuk mund të sillem me ju si ky vorbar, o shtëpia e Izraelit? ‑ tha Zoti. Ja, ju jeni në duart e mia, o shtëpia e Izraelit, si deltina në dorën e vegsharit!
7 Unë aty për aty caktoj kundër ndonjë populli ose mbretërie se do ta çrrënjos, do ta zhduk, do ta shuaj;
8 por, nëse ai popull kthehet prej asaj paudhësie, për shkak të së cilës kam folur kundër tij, atëherë edhe vetë do të pendohem për të keqen që kisha vendosur t’ia çoj.
9 Një herë tjetër them, në lidhje me një popull ose mbretëri, se do ta ndërtoj e do ta mbëltoj;
10 por, nëse bën të keqen ndër sytë e mi për të mos e dëgjuar zërin tim, do të pendohem për të mirën që pata vendosur t’ia bëj.
11 Prandaj, thuaju judenjve e banorëve të Jerusalemit: Kështu thotë Zoti: Unë, ja, përgatis kundër jush një të keqe dhe sendërtoj kundër jush një plan. Më mirë t’i largohet secili udhës së vet të keqe e përmirësoni udhët tuaja e veprat tuaja!”
12 Por ata do të thonë: “Kot! Ne duam të ndjekim mendimet tona e secili do të bëjmë sipas keqësisë së zemrës së vet të prishur!’“
13 Ja, pra, pse Zoti thotë kështu:
“Pyetni paganët:
kush dëgjoi punë kaq të poshtra
siç i bëri virgjëra e Izraelit?
14 A thua mungon bora e Libanit
mbi qetën që zotëron fushën?
A shteren ndoshta ujërat e freskëta,
që shpërthejnë e rrjedhin të cemta?
15 E pra, populli im më harroi,
ai idhujve u flijoi,
morën në thua udhëve të veta,
nëpër shtigjet e dikurshme,
ecin shtigjeve të parrahura,
udhës së parrafshuar,
16 për ta kthyer vendin në shkretëtirë,
të përmendet për të zi gjithherë:
secili që ta përshkojë
shtang do të mbesë, kokën do të tundë!
17 Si murrlani do t’i zvarris
po ndër sy të armiqve të tyre.
Do t’u sjell shpinën e jo faqen
ditën e shfarosjes së tyre!”
18 Ata thanë: “Ejani të bëjmë përbetim kundër Jeremisë! Sepse Ligji nuk do t’i mungojë priftit, as këshilla të urtit, as fjala profetit! Ejani ta godasim me gjuhë të tij e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij”.
19 Më vështro, o Zot,
e dëgjo se ç’thonë kundërshtarët e mi!
20 Vallë, a me të keqe shpërblehet e mira?
E ata po më hapin gropën!
Kujto se si rrija para teje
për të folur për të mirën e tyre,
për ta hedhur larg tyre zemërimit tënd.
21 Çoje, prandaj mbi fëmijët e tyre urinë,
e hidhi ata në tehun e shpatës!
Të veja e pa fëmijë le t’u mbesin gratë,
vdekja le t’i marrë burrat e tyre!
Të rinjtë le t’ua therë shpata në luftë!
22 Le të dëgjohen britma prej shtëpive të tyre
kur mbi ta papritmas t’i lëshosh cubat,
sepse për të më zënë ata gropën hapën,
dhe këmbëve të mia u ngrehën leq.
23 Ti, o Zot, i di sendërgjimet e tyre
për vdekje kundër meje:
mos e fal fajësinë e tyre,
para teje të mos shlyhet mëkati i tyre!
Rrafsh për tokë le të bien para teje,
ditën kur të të pushtojë zemërimi, vepro kundër tyre!