1 Fjalët e Jeremisë, birit të Helcisë, një prifti që banonte në Anatot, në dheun e Beniaminit.
2 Atij i qe drejtuar fjala e Zotit, në ditët e Jozisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, të trembëdhjetin vit të mbretërimit të tij;
3 pastaj edhe në ditët e Joakimit, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në mbarimin e të njëmbëdhjetit vit të Sedecisë, birit të Jozisë, mbretit të Judës, deri në shpërngulje të Jerusalemit në muajin e pestë.
4 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:
5 “Para se të të trajtoja në kraharorin amënor, të njoha
e, para se të dilje nga gjiri amënor, të shenjtërova,
të caktova të jesh profet i popujve.
6 Përgjigjja: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!”
7 Por Zoti m’u përgjigj:
Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’
Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj
dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj.
8 Mos ki kurrfarë frike para tyre,
sepse unë jam me ty për të të mbrojtur,
‑ është fjala e Zotit.
9 Atëherë Zoti e shtriu dorën e vet, ma preku gojën time
e më tha:
“Ja, unë po i vë fjalët e mia në gojën tënde.
10 Ja, sot po të vë
përmbi popuj e përmbi mbretëri,
për të çrrënjosur e për të rrënuar,
për të shkatërruar e për të shpërndarë,
për të ndërtuar e për të mbjellë.”
11 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: “Çfarë po sheh, o Jeremi?” Unë u përgjigja: “Shoh thuprën e bajames vigjiluese.”
12 Pastaj Zoti më tha: “Mirë pe, sepse unë rri zgjuar mbi fjalën time për ta zbatuar.”
13 Më qe drejtuar edhe së dyti fjala e Zotit e më tha: “Çfarë po sheh?” Unë u përgjigja: “Shoh kusinë mbi zjarr të ndezur me grykë që i anon drejt veriut.”
14 Atëherë Zoti më tha:
“Nga veriu do të hapet e keqja
kundër të gjithë banorëve të dheut.
15 Sepse, ja, unë po i thërras
të gjitha mbretëritë e veriut”,
‑ është fjala e Zotit.
Ato do të vijnë: secili do ta vërë fronin e vet
në hyrje të dyerve të Jerusalemit,
përballë mureve të tij, rreth e rreth
dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës.
16 Do t’i shpall të gjitha gjyqet e mia kundër tyre
mbi të gjithë keqbërësinë e tyre:
sepse më kanë braktisur
e u kushtuan kem hyjnive të huaja
dhe adhuruan veprën e duarve të veta.
17 Prandaj ngjeshi ijët e tua!
Në këmbë, pra! Thuaju të gjitha
që unë po të urdhëroj.
Aspak mos u tremb para tyre,
përndryshe do të të bëj që të dridhesh para tyre!
18 Ja, unë sot ty po të bëj
qytet të fortifikuar,
shtyllë hekuri,
mur tumbaku
përballë të gjithë vendit,
përballë mbretërve të Judës
e princave të tij,
priftërinjve të tij e popullit të vendit.
19 Ata do të luftojnë kundër teje,
por s’do të ngadhënjejnë mbi ty,
sepse unë jam me ty,
që të të shpëtoj,
thotë Zoti.”