1 Po prej kësaj zemra më dridhet,
jashta parzmës do të më dalë!
2 Pa dëgjoni si i buçet zëri,
buçimën që i del nga goja!
3 Vetëtima mbarë qiellin çan,
skajet tokës ia vezullon!
4 Bubullima ulërin pas saj,
gjëmon zëri i madhërisë së tij,
gjë s’i ndal atëherë rrufetë!
5 Po, gjëmon Hyji me zë të mrekullueshëm,
përfton vepra të mëdha, të pashqyrtueshme.
6 I urdhëron borës të zbresë mbi tokë,
shtrëngatës të bjerë me rrëmbim.
7 I kyç njerëzit brenda në shtëpi
të njohë secili kështu veprën e tij.
8 Egërsirat në strofuj struken,
kyçen në shpella, me ankth presin.
9 E rreptë ngritet nga jugu stuhia,
era sjell nga veriu cegmin,
10 Hyji fryn, akulli ngrin,
sipërfaqja e uj’t ngurrohet.
11 Rufeja nga reja hidhet,
retë atëherë vetëtima lëshojnë
12 që ndriçojnë gjithkund përreth,
gjithkah do Sunduesi i epërm,
tek u urdhëron mbi faqe të dheut,
13 ndonjë vend për ta shkretuar
ose mëshirë për t’i dëftuar.
14 Dëgjo këtu, Job, e qetësohu,
mrekullitë e Hyjit vëreji!
15 A mos di kur u urdhëron Hyji
e si retë rrufenë e lëshojnë?
16 Udhët e mëdha të reve ua di?
Punët e mëdha të Dijshmit të përkryer?
17 Petkat e tua sa janë të nxehta
kur tokën s’e rreh shiroku?
18 Ndoshta qiellin me Të e shtrive
të fortë e të l’muar si pasqyrë metali?!
19 Na trego ç’ t’i themi Atij,
pasi ne, të errësuar, s’dimë!
20 Fjalët e mia ç’rëndësi kanë për të?
Nëse flet Ai, njeriu do të përpihet!
21 Por tani dritën s’e shohim,
kupa e qiellit me re u zu:
do të fryejë era e i shpërndan,
22 nga veriu shkëlqen drita e artë.
Përreth Hyjit një madhëri e tmerrshme.
23 Të Lumit s’mundemi t’i afrohemi,
i pakufishëm në pushtet e në drejtësi:
i drejtë në gjyq, askënd nuk nëpërkëmb.
24 Prandaj njerëzit le ta druajnë!
Ai nuk ndien për dije të krenarëve.”