1 Eliuhi vazhdoi e tha kështu:
2 “Duresë sa grima e do të tregoj,
sepse kam më ç’të them për Hyjin.
3 Prej së largu do ta nxjerr dijen,
Bërësit tim do t’ i jap arsye.
4 Vërtet s’janë gënjeshtra fjalët e mia:
është me ty një që ka dije të përsorur.
5 Hyji është i madh: askënd s’përbuz;
i madhërishëm për kah fuqia e mendjes,
6 keqbërësin s’e lë të jetojë
e skamnorëve u jep të drejtë.
7 Prej të drejtëve sytë s’i largon,
përbri mbretërish i vë në fron
që të lartësuar të jenë gjithmonë.
8 E nëse të lidhur i sheh në pranga,
rëndë shtrënguar në lak mjerimi,
9 atëherë veprat në dritë ua qet,
dhunët e bëra prej krenarisë.
10 U hap veshët të dëgjojnë qortimin,
u urdhëron të kthehen prej të keqes.
11 N’e dëgjoshin e n’iu nënshtroshin,
me fat të mirë ditët u kalojnë,
vitet e tyre me kënaqësi.
12 Po s’dëgjuan, kalojnë n’për vdekje,
prej marrëzirës do të sharrojnë.
13 Të Hyjit hidhërimin vetvetes ia sjellin
zemërkëqijtë e kushtrim nuk do të qesin,
kur ndër pranga i Lumi t’i lidhë.
14 E vdesin në lule të rinisë,
në moshë të djalërisë u shuhet jeta.
15 Varfanjakun e shpëton me të liga,
ia hap sytë me fatkeqësi.
16 Edhe ty do të shpëtojë nga ngushtica,
do të qesë në hapësirë ku gjë s’të shtrëngon,
në tryezë plot me gjella të majme.
17 Çështja jote bie si e keqbërësit:
gjyqi e dënimi do të takojnë.
18 Mbushullia ruaj se të gënjen,
shumë dhurata mos ta shmangin rrugën!
19 Pse, a bërtet kur s’je në vështirësi?
E madje me sa forcë ke?!
20 Mos e prit me afsh atë natë,
në të cilën popujt shkojnë në vend të vet!
21 Ruaj se i sillesh padrejtësisë,
sepse ajo të qiti në mjerim”!
Himni për nder të dijes së gjithëpushtetshme
22 “Sa i madhërishëm në pushtet të vet është Hyji!
Vallë ka kund mësues të ngjashëm me Të?
23 Kush është në gjendje jetën t’ia shqyrtojë?
Kush guxon t’i thotë: ‘Veprove keq?’
24 Të bie në mend t’ia madhërosh veprën
që të tjerët në këngë ia këndojnë!
25 E vëren mbarë bota,
çdo njeri prej së largu e kundron!
26 Sa i madh është Hyji! Mendja nuk na e merr,
të panumrueshme janë vitet e tija!
27 Lart i mbledh pikat e shiut,
i zbraz shirat si lumenj,
28 retë i zbrazën me mbushulli,
rrëke bien mbi mbarë njerëzimin.
29 Kush pastaj mund ta kuptojë
të reve shtrirjen,
bubullimën e tendës së tij?
30 Ja, Ai dritën e hap përreth vetes,
detit fundin me ujë ia mbulon!
31 Me anë të tyre Ai gjallë i mban popujt,
u jep ushqim me garguri.
32 Në duar të veta e mban rrufenë
dhe i urdhëron ku do të godasë!
33 Bubullima flet për Të,
armë zemërimi kundër të keqes!