< Jb 33 Jb 35 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 34)
34

1 Eliuhi e rimori fjalën. Ai tha:

2 “Dëgjojini, o të dijshëm, fjalët e mia,

o ju të ditur, mua më vështroni!

3 Pasi veshi i dallon fjalët

me shijim qiellza ushqimet:

4 prandaj të shqyrtojmë çka është e drejtë,

të çmojmë së bashku ç’është më mirë.

5 Pasi Jobi tha: ‘I drejtë jam,

porse Hyji të drejtën ma mori.

6 Jam i drejtë e rrenacak më mbajnë,

i shigjetuar pa farë faji’,

7 ka ndokund burrë porsi Jobi,

që e pi talljen porsi ujin?

8 Që rrugon bashkë me keqbërësit,

që ecën me të patenzonë?

9 Sepse tha: ‘Njeriut s’i vlen

me Hyjin miqësisht të sillet’.

10 Pra, më dëgjoni burra të mençur:

larg prej Hyjit paudhësia

e prej të Lumit padrejtësia!

11 Sipas veprave njeriun shpërblen,

sipas sjelljes shpaguan gjithkënd.

12 Vërtet Hyji kurrë keq s’bën,

kurrë i Lumi s’e shkel të drejtën!

13 Kush atëherë ia beson botën?

Mbarë rruzullin kush e sheston?

14 Po të rikthente frymën në vete,

po të tërhiqte shpirt e frymë,

15 coftë do të binin të gjithë gjallorët,

njeriu në pluhur do të kthehej.

16 Nëse merr vesh, dëgjo këtë,

dëgjo zërin e bisedës sime.

17 Mund të sundojë kush e urren të drejtën?

Guxon të dënosh të Drejtin e të drejtëve,

18 që mbretit i thotë: ‘Mbrapshtan!’

edhe prijësve: ‘Të patenzonë’!,

19 që princave pajë s’u mban,

s’bën dallim: skamnor e i pasur,

pse janë vepër e duarve të tija?!

20 Çëk‑fëk zhduken në thellësi të natës;

grinden popujt e shkatërrohen,

zhduk dhunuesin pa vështirësi.

21 Ai njeriut ia sheh udhët,

në shuplakë të dorës hapat ia ka!

22 Nuk ka terr as hije vdekjeje

që ta fshehë atë që bën keq.

23 Askujt Hyji më parë s’i tregon,

kur i duhet para Tij në gjyq të dalë.

24 I zhduk të mëdhenjtë pa hetuesi,

në vend të tyre tjerë vë në pushtet,

25 sepse veprat fort mirë ua njeh,

dhe një natë i përplas e i shqelmon.

26 Si keqbërësit ata i godet

mu aty ku mbarë bota i sheh!

27 Qëllimisht pse prej Tij u larguan,

t’i kuptojnë nuk deshën udhët e tija.

28 Tek Ai mbërriti britma e skamnorit,

ua dëgjoi të vobektëve klithmën.

29 Nëse hesht kush mund ta dënojë?

Nëse e fsheh f’tyrën kush e sheh?

Por kujdeset për popuj e njerëz,

30 të mos mbretërojë i patenzoni

që të mos bëhet lak për popull.

31 Nëse ndokush Hyjit i thotë:

‘Ç’ m’u desh pësova! Më s’do të mëkatoj.

32 Çka s’kuptoj ti tani ma mëso,

keq në punova, s’do të vazhdoj.’

33 Si pas teje a s’do ta falë

pse ti gjyqin s’ia përfill?

Ty të takon të zgjidhësh e jo mua:

zbraze, pra, dijen që ke.

34 Njerëz’t e urtë mua do të më thonë,

çdo i ditur që do të më dëgjojë:

35 Jo, si i urtë nuk foli Jobi,

fjalëve të tija u mungon dija!

36 Prandaj Jobi der në fund le të sprovohet

pse përgjigj si keqbërës të ishte,

37 mëkatit të vet pse ia shton kryengritjen,

ndërmjet nesh me shuplakë rreh,

kundër Hyjit i shton blasfemitë”.



Fjala e Zotit