1 Jobi vazhdoi të tregojë poemën e vet e tha:
2 “Pasha Hyjin që të drejtën ma mori,
pasha të Lumin që ma helmoi jetën,
3 gjersa të mundem frymë të marr,
frym’n e Hyjit sa në trup ta kem,
4 buzët e mia nuk do të thonë marrëzirë,
gënjeshtër s’do të thotë jo goja ime.
5 Por kurrë juve të drejtë s’do t’ju jap,
der të më dalë shpirti: ‘I drejtë jam, do të them!
6 Drejtësinë time e mbaj, s’e lë dot,
s’më lë ndërgjegjja të skuqem në këtë jetë.
7 Armiku im pastë fatin e mëkatarit,
voftë ku i mbrapshti edhe kundërshtari im!
8 Çka vlen shpresa që ka i paudhi,
pasi Hyji ta këpusë, t’ia marrë shpirtin?
9 Vallë thua Hyji do t’ia dëgjojë klithmat,
kur të paudhin ta mbulojnë vështirësitë?
10 Do të mund të kënaqet ndoshta në të Gjithpushtetshmin?
E në ndihmë Hyjin çdo çast do ta thërrasë?
11 Të Hyjit dorën jua tregova në vepër,
s’jua fsheha shestimet e të Lumit,
12 po dhe ju të gjitha këto i patë,
pse atëherë më kot flisni ju punë boshe”?
Biseda e Zofarit: I mallkuari
13 “Ky është fati që Hyji ia ruan të mbrapshtit,
trashëgimi i njerëzve të dhunshëm që prej të Lumit marrin.
14 Në pastë shumë djem, shpata ia pret,
me bukë nipat s’do t’i ngihen.
15 Nëse i mbet kush, ia mb’lon murtaja
pa i vajtuar as të vejat e tyre.
16 Nëse sa dheu do të mbledhë argjend,
e si balta petka do të bashkojë:
17 ai i bën gati e i drejti do t’i veshë,
të pafajshmit do të ndajnë argjendin.
18 Ndërtoi sht’pinë rrjetë marimange,
porsi tendën që e ndreq rojtari.
19 Bie të flejë i pasur, por për të fundit herë,
kur të hapë sytë asgjë më nuk do të gjejë.
20 E pushton skamja porsi uji:
atë natën do ta ndrydhë stuhia.
21 Era e lindjes e merr dhe e zhduk,
si humnera nga vendi e shkul.
22 Pa mëshirë Hyji atë e përplas
e ky mundohet nga dora t’i ikë.
23 Shuplakë rrahin për bjerrjen e tij,
kudo të shkojë pas tij i fishkëllojnë”.