< Jb 23 Jb 25 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 24)
24

1 Përse i Lumi nuk vrojton do kohë?

Besimtarët pse s’ia njohin ditët?

2 Të paudhit kufijtë i luajnë,

rrëmbejnë delet edhe i kullosin,

3 bonjakëve u marrin gomarin,

vejushës kaun për peng ia marrin.

4 Të vobekëtit nga udha i dëbojnë,

të shkretët së bashku detyrohen të fshihen.

5 Ja tek janë si gomarët në shkretëtirë,

dalin në punë për bukë të fëmijëve,

kërkojnë pre në kullota të njoma.

6 Korrin arat që s’janë të tyre,

vjelin vreshtat e mëkatarit.

7 Kalojnë natën pa mb’lojë, zhveshur,

s’kanë me çka të mb’lohen prej të ftohtit.

8 Lagen, ndragen malit në shi,

pa banesë qetave u qasen.

9 Nga gjiri i ndajnë jetimat,

skamnorit peng fëminë ia marrin.

10 Të zhveshur ecin pse s’kanë petka,

të uritur bartin kallinj.

11 S’kanë mulli për të shtrydhur vaj,

shtrydhin rrush e mbeten të etur.

12 Të sëmurë për vdekje rënkojnë në qytet,

të plagosurit thërrasin kushtrim,

por Hyji s’ua dëgjon luten.

13 Ata dritës i kundërshtuan,

s’deshën të dinë për udhë të tij,

dhe s’qëndruan në shtigje të tija.

14 Në mëngjes ngritet vrastari,

vret skamnorin e të vobektin.

15 Në natë të thellë lëvizin vjedhësit

16a e në errësirë shtëpitë i thejnë.

15 Syri i pushtit ruan terrin

thotë me vete: ‘Askush s’më sheh!’

e f’tyrën ia mbulon vetes.

16b Gjatë ditës të fshehur rrinë,

të gjithë ata që urrejnë dritën.

17 Për ta agimi është hije vdekjeje,

tmerri i vdekjes i kap kur zbardh drita”.

Biseda e Sofarit /pjesa e parë/

18 “Është i lehtë mbi sipërfaqe të ujit,

pjesa e tij e nëmur është mbi tokë,

dhe askush s’e mësyn vreshtin e tij.

19 Thatësia e vapa e shterrin ujin e borës,

ashtu Sheoli i përpin mëkatarët.

20 Kraharori i nënës e harroftë

ëmbëlsirë për krimba u bëftë;

s’do të kujtohet padrejtësia

e do të pritet porsi druri.

21 E mundoi gruan që s’lind,

vejushës së gjorë të mira s’i bëri.

22 Por i Lumi e rrudh të dërhuzdtin,

në kundërshtoftë, e humb shpresën e jetës.

23 E la të mendojë se s’është në rrezik,

sjelljes së tij kurrë s’ia ndanë sytë.

24 Lart për pak ngriten e zhduken,

bien poshtë si çdo gjë e vdekshme,

si një kallëz që drapri e pret.

25 Pse a s’është kështu? Kush në gënjeshtër më qet?

Poshtë mua fjalët kush mundet të m’i hedhë”?



Fjala e Zotit