1 Mori fjalën Elifaz Temaniti e tha:
2 “Çka njeriu Hyjit mund t’i vlejë? Kur i urti vlen mezi për vete?
3 Ç’dobi i Lumi ka nëse ti je i drejtë, ç’fiton Hyji nëse ti je i pastër?
4 Vallë të ndëshkon pse qenke i drejtë e për këtë të qitka në gjyq?
5 A thua jo në saje të mbrapshtisë sate, të të këqijave të tua që s’kanë numër?
6 Pa arsye vëllait peng i more, të vobekëtin petkash e zhveshe.
7 Të etshmit ujë s’i dhe të pijë, të uriturit s’i dhe të hajë.
8 Skamnorit tokën ia more dhe ia dhe kujt të pëlqeu ty.
9 Me duar thatë i nisje të vejat, bonjakëve ua theve krahët.
10 Këndej tani në rrjetë ke rënë e po të mposht frika e papritur.
11 Drita terr të është bërë e s’sheh, turri i ujërave po të përplas!
12 Pse thua Hyji s’është më i lartë se qielli? Vëreje majën e yjeve: sa e lartë!
13 E ti thua:’Po ç’di Hyji? A mund të shohë nëpër mug të reve?
14 Tis ka renë e ne s’na sheh. Ai shëtit buzës qiellore!
15 Po a do të ndiqësh udhën e moçme, që ndoqën njerëzit e këqij?
16 Para kohe qenë rroposur, themelin ua mori lumi!
17 Ata Hyjit vetë i thoshin: ‘Larg prej nesh!’ dhe: ‘S’ka ç’na bën i Gjithpushtetshmi.
18 Ai shtëpitë me të mira u mbushte, megjithëse për të s’çanin kokën.
19 Të drejtët shohin edhe gëzohen, i pafajshmi në lojë i vë:
20 ‘Vërtet mbaroi madhëria e tyre, pasurinë ua dogji zjarri’.
21 Me Hyjin ndrequ e pajtohu, do të reshesh përsëri me të mira.
22 Prano Ligjin prej gojës së tij, fjalët e tija nguli në zemër.
23 Nëse i penduar te i Lumi kthehesh, nëse e mënjanon të keqen nga tenda,
24 nëse si pluhurin e çmon arin, si zall lumi arin e Ofirit,
25 për ty ar do të jetë i Lumi e argjend do të kesh me muqe.
26 Atëherë te i Lumi do të gjesh gëzime, drejt kah Hyji do t’i lartësosh duart.
27 Do t’i lutesh e Ai do të dëgjojë, kushtet tua në vend do t’i çosh.
28 Do të shkojë mbarë çkado të ndërmarrësh, udhën tënde do ta ndriçojë drita.
29 Madhështorit ia ul krenarinë e i ndihmon njeriut të përvuajtur.
30 Nga e keqja e shpëton të pafajshmin: patëmetësia e duarve e shpëton.”