Duke ngarkuar...

< Jb 19 Jb 21 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 20)
20

1 Fjalën e mori Sofar Naamatiti e tha:

2 “Mendja më shtyt përgjigje të të jap, sepse në mua vlon truri i ndriçuar.

3 Me fjalë të tua paditëse më ke ngacmuar, i dijes sime shpirti do të përgjigjë.

4 Pse a s’e di se gjithmonë, që kur u vu mbi tokë njeriu

5 se jetëpak është gëzimi i të mbrapshtëve se çak‑fak kalon fati i mëkatarëve.

6 Nëse der në qiell arrin madhështia e tij, nëse me kokë ai retë ia del t’i ndeshë,

7 porsi plehu fshihet për gjithmonë, kush e pa do të pyetë: ‘Ç’e mori?’

8 porsi ëndrra vrik do të zhduket, do të kalojë si vegimi i natës.

9 Kush e pa më s’do ta shohë, vendi i tij më s’do ta këqyrë,

10 të bijtë të varfrit do t’i dëmshpërblejnë, me duar të veta plaçkat do t’i kthejnë.

11 Eshtrat e tij në lule të rinisë bashkë me të në pluhur do të prehen.

12 Për gojë të tij e keqja ish’ e ëmbël ai e ruante nën gjuhën e vet.

13 Ruhet mirë të mos e përpijë, nën qellzë të vet e fsheh kujdesshëm.

14 Por ushqimi në bark i kalbet, helm shlligash i bëhet në zorrë.

15 Pasuritë që hëngri do t’i vjellë, Hyji vetë prej barkut do t’ia nxjerrë.

16 Thithur ka prej shlligash helm: gjuha e shlligës do ta vrasë!

17 Mos i paftë më rrëketë e vajit, përrenjtë që rrjedhin mjaltë e tlyen!

18 Pa e shijuar do ta kthejë fitesën, s’do ta gëzojë tregtinë që bëri.

19 Sepse të varfërin e shkeli, e ndrydhi, rrëmbeu shtëpitë që s’i ndërtoi.

20 Barku i tij kurrë nuk u ngop, visarët s’do ta shpëtojnë.

21 S’la gjë për të ngopur grykësinë, mirëqenia e tij gjatë s’do të qëndrojë.

22 Në kulm të kamjes në mjerim do të bjerë, gjithë e keqja do të sulet mbi të.

23 Në dashtë ta fajë barkun e vet: zemërimin Hyji do ta lëshojë mbi të.

24 Nëse armës së hekurt ia del t’i shpëtojë, do të shitohet nga harku i bronztë.

25 Anë për anë do ta shitojë shigjeta dhe mëlçinë rrufeja shigjetuese. Kahdo t’ia mbajë do ta sulmojë tmerri.

26 Tmerri i frikshëm gjithkund në pritë i rri, e djeg flaka prej askujt e ndezur: do t’i digjet gjithçka në tendë i mbeti!

27 Qielli në dritë do të qesë mbrapshtinë e tij, kurse toka kundër tij do të ngritet.

28 Shtëpinë e tij do ta marrë lumi, hidhërimi i Hyjit krejtësisht do ta zhdukë.

29 Kjo është pjesa që Hyji i jep të paudhit, trashëgimi që prej Zotit merr”.



Fjala e Zotit