< Jb 1 Jb 3 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 2)
2

1 Një ditë tjetër, kur Bijtë e Hyjit shkuan të paraqiten para Zotit, shkoi me ta edhe Satani për t’u paraqitur tek ai.

2 Zoti iu drejtua Satanit: “Nga po vjen?” Satani iu përgjigj: “E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj”.

3 Atëherë Zoti i tha Satanit: “A mos e pe kund shërbëtorin tim Jobin? S’e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmetë e i drejtë, që e ka frikë Hyjin i shmanget të së keqes dhe që e ruan patëmetësinë e vet. Ti më ngacmove më kot kundër tij për ta dëmtuar”.

4 Satani iu përgjigj Hyjit: “Lëkura për lëkurë! Njeriu jep gjithçka ka për jetën e vet!

5 Por, sprovo e shtrije dorën tënde në ashtin e në mishin e tij e do shohësh si do të mallkojë në fytyrë!”.

6 Këndej Zoti i tha Satanit: “Ja, në dorën tënde e ke, por jetën ruaja!”.

7 Satani u largua nga prania e Zotit.

Satani e goditi Jobin me çibanë të këqij që nga shputat e këmbëve e deri në majë të kresë.

8 Jobi mori një tjegull për t’u kruar dhe shkoi e u ul në grumbullin e plehërave.

9 Atëherë e shoqja i tha:

“Po a ende po qëndron në patëmetësinë tënde?

Mallkoje Hyjin dhe vdis”!

10 Jobi iu përgjigj:

“Po flet si një grua marroqe.

Nëse nga dora e Hyjit i pranojmë të mirat, pse s’do t’i pranojmë të këqijat”?

Në të gjitha këto të këqija Jobi me buzët e veta nuk mëkatoi.

11 Ndërkaq tre miq të Jobit morën vesh për të gjitha këto të këqija që i kishin ndodhur Jobit dhe secili erdhi nga vendi i vet: Elifaz Temaniti, Baldad Suhiti dhe Sofar Naamatiti. Ishin marrë vesh ndër vete të shkonin së bashku për ta parë e për ta ngushëlluar.

12 Prej së largu ia lëshuan sytë, por nuk e njohën. Atëherë ia plasën vajit me zë të lartë, i shqyen petkat, dhe hodhën pluhur në ajr mbi kokat e veta.

13 Atëherë u ulën për tokë afër tij dhe ashtu qëndruan për shtatë ditë e shtatë net. Asnjëri s’mundi t’ia thotë asnjë fjalë, sepse e panë se dhimbje e tij ishte tepër e madhe.



Fjala e Zotit