Duke ngarkuar...

< Jb 18 Jb 20 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 19)
19

1 Atëherë Jobi e mori fjalën e tha:

2 “Deri kur ju kështu do të më mundoni, do të më ndrydhni pa pushuar me fjalë?

3 Tash dhjetë herë që ju po më fyeni, s’ju vjen turp të më shtypni në këtë mënyrë?

4 Edhe nëse gabova... faji im me mua do të jetë.

5 A mendoni se mbi mua ngadhnjeni, që më përmendni mjerimin tim të rëndë?

6 Së paku tani duhet ta kuptoni se me të drejtë jo Hyji nuk më ndëshkoi që më mbështolli në rrjetën e vet.

7 Thërras: ‘Kushtrim!’, po askush s’më përgjigjet, unë ofshaj, por për mua drejtësi s’ka!

8 Më rrethoi në gardh nga s’dilet dot, me terr shtegun ma mbuloi.

9 Ai më zhveshi nga nderimi, e nga koka kezën ma hoqi.

10 Më shpartalloi gjithkah e po mbaroj, porsi lëndën ma çrrënjosi shpresën.

11 Flakë hidh’rimit kundër meje i dha dhe kështu më mbajti për armik të vetin.

12 U çuan bashkë çetat e tija, hapën rrugën der te unë, rreth e qark ma rrethuan tendën.

13 Larg m’i dëboi vëllezërit e mi, porsi të huaj miqtë m’u larguan:

14 Vetëm më lanë të afërmit e mi, kush më pat njohur, më ka harruar.

15 Miqtë e shtëpisë dhe shërbëtorët po më mbajnë si të isha i huaj, në sy të tyre jam shtegtar!

16 Thërras shërbëtorin, e s’më përgjigjet, me gojë më duhet t’i bëjë lutje.

17 Gruaja frymën s’ma duron, krupë ua çoj vëllezërve të mi,

18 për fëmijë u bëra lojë, nëse në këmbë çohem, me mua tallen.

19 S’më durojnë dot këshilltarët e mi, kë fort doja tani m’është kundërshtar.

20 Asht e lëkurë ‑ mishi shkatërruar, s’më mbeti veç rreth dhëmbësh lëkura!

21 Dhimbje, deh dhimbje kini për mua, së paku ju, o miqtë e mi!... se më goditi dora e Zotit!

22 Pse më përndiqni porsi Hyji, si s’u ngitë me mishin tim?!

23 Po të shkruheshin fjalët e mia, të shënoheshin në ndonjë libër,

24 në gur të gjallë për amshim t’u gdhendshin me daltë hekuri e me plumb!

25 E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i sprasmi përmbi dhe do të ngritet,

26 e pas kësaj lëkure që ma ropën në mishin tim Hyjin do ta shoh.

27 Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj!

28 Nëse tanithoni: ‘Si do ta përndjekim? Ç’arsye të gjejmë ne kundër tij?’

29 Atëherë shpatës kinia frikën, sepse shpata e hakmerr fajësinë! Mos harroni se gjyq ka”!



Fjala e Zotit