1 Mori fjalën Baldad Suhiti edhe tha:
2 “Deri kur me fjalë do të gjuani? Më parë pleqëroni e atëherë do të flasim!
3 Përse mbahemi për bagëti? Dhe na mban për kafshë të ndyra?
4 Ti, or djalë, që vetes ia bren jetën a për shkak tënd do të shembet bota dhe qetat vendit do të luajnë?
5 Po se drita do t’i shqimet të mbrapshtit, s’do të flakojë më flaka në vatër të tij.
6 Nën tendë të tij do të errësohet drita, përmbi të dritëza do të fiket.
7 Hapi i shpejtë i ngadalësohet, në shestime të veta do të përplaset.
8 Këmbët e tija i ranë në rrjetë, ja po ecën në lugje i penguar!
9 Laku i fshehur këmbët ia zuri, vjega nyjë rreptë e shtrëngon.
10 Për këmbë gracka në tokë i është fshehur, në shteg t’kalimit kurthi e pret.
11 Nga çdo anë e frikëson droja, gjurmë pas gjurme e përcjell.
12 Nga uria i humb fuqia, murtaja i rri përbri
13 e ia bren pjesët e lëkurës, i ha gjymtyrët djali i parë i vdekjes.
14 E nxjerrin nga çadra e tij, për ta shpënë te Mbreti i Tmerrit.
15 Banon në tendën që s’është më e tija, banesa me sulfur i stërpiket.
16 Poshtë kalben rrënjët e tija, e përsipër gemat e tij thahen.
17 Kujtimi i tij zhduket nga toka, në logje emri s’i përmendet.
18 Nga drita në errësirë e dëbojnë, e tresin nga rrethi i tokës.
19 Bir as bijë në popull s’do të ketë, dera e tij me ferrë do të mbyllet.
20 Emnesë fundi i tij për të sprapmit, lemeri do të jetë për të parët.
21 Ja, i tillë është fati i mëkatarit, e tillë dera që Hyjin s’e njeh”.