1 Fryma ime u pakua,
ditët e mia morën fund,
nuk më pret tjetër veçse varri.
2 A s’më rrethuan kudo përqeshjet?
Ç’të më shohë syri veç mjerim?
3 Vër pranë Teje i peng për mua!
S’kam kë tjetër që t’më marrë n’dorë.
4 Sepse atyre mendtë ua more,
s’do të lejosh që ata të ngadhnjejnë.
5 Si ai që shokëve u premton prenë
e fëmijëve të tij u meken sytë.
6 Më ke bërë porsi përrallë për popull,
si njeri që mund t’i pështyhet në faqe.
7 Prej trishtimit sytë më janë errësuar
e gjymtyrëve s’m’u mbeti veç hija.
8 Për këtë gjë do të çuditen të drejtët,
kundër të mbrapshtit do të nxehet i miri.
9 I patëmeti të pastër do të ruajë udhën,
dorëmiri i gjithi do të forcohet.
10 Mblidhuni të gjithë e këtu ejani,
asnjë të urtë ndër ju s’do të gjej!
11 Shkuan ditët, më mbaruan synimet,
gjë s’dësh’ron më zemra ime.
12 Natën duan ta kthejnë në ditë,
dhe përsëri pas territ nxiton drita.
13 S’kam shpresë tjetër veç të banoj në Sheol,
në errësirë shtratin e kam shtruar.
14 Kalbësirës unë i thashë: ‘Babë!’
‘Nënë e motër’ i thirra krimbat.
15 Po ku më për mua ka shpresë?
Fatin tim kush do ta vërejë?
16 Gjithçka kam, në fund të dheut do të zbresë,
në pluhur së bashku të gjejmë qetësi.”