< Jb 15 Jb 17 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 16)
16

1 Jobi e mori fjalën e tha: 

2 “Tani sa herë veç po dëgjoj fjalë të tilla!

Të gjithë ju jeni ngushëllimtarë të mërzitshëm!

3 Vallë, s’kanë fund fjalët e thëna në erë?

Çka të ngacmon kështu të përgjigjesh?

4 Dhe unë do të mundja të flas kështu

të ishit ju në këtë gjendjen time;

rrjedhshëm fjalët mbi ju do të zbrazja,

përmbi ju kokën do të dridhja!

5 E me fjalë do t’ju forcoja,

s’do të pushoja të rrah me buzë.

6 Por, nëse flas dhembjet s’më pushojnë,

nëse hesht, prapë nuk më largohen.

7 Por tani dhimbje më molisi,

mik për shëllinë mua s’më ke lënë.

8 Rrudhat në ballë dëshmojnë kundër meje,

shpifje të rënda kundër meje thuhen,

9 me zemërim më thërmon e më përndjek,

kundër meje dhëmbët i kërcëllon,

armiku m’i ngërdhuc sytë.

10 Gojën hapën kundër meje,

më poshtërojnë e më shuplakojnë,

janë bashkuar kundër meje të gjithë.

11 Pre keqbërësit Hyji më ka dhuruar,

më lëshoi në duar të njerëzve të pashpirt.

12 Unë, ai i urti i dikurshëm,

papritmas qeshë shkatërruar,

më shtrëngoi në zverk edhe më rroposi,

shenjë të shënjestrës së vet më bëri.

13 Më shitoi me shigjeta të veta,

m’i përshkoi ijet, dhe s’iu dhimta,

në tokë ma derdhi vrerin tim.

14 Copë e grimë trupin ma bëri,

u sul në mua si vigan.

15 Përmbi lëkurë e qepa thesin,

thellë në pluhur e rrasa kokën.

16 Faqja ime u skuq prej lotëve,

e u nxinë qerpikët e mi.

17 E pra, dhunë nuk bëri dora ime,

e lutja ime ishte e pastër!

18 O moj tokë, mos më mbulo gjakun,

mos ma fsheh klithmën e dënesjes!

19 Se e kam në qiell Dëshmitarin,

atje lart atë që më njeh.

20 Mbrojtës të mi janë gjëmet e mia,

para Hyjit lot më kullon syri.

21 Heu, t’u gjykonte me Hyjin njeriu

siç gjykohet njeriu me njeriun!

22 Por shkurtuar janë ditët e mia,

po marr udhën që kthim prapa s’ka!



Fjala e Zotit