1 Njeriu prej femre i lindur, ditëpakët, por plot trazime,
2 çel si lulja e shpejt vyshket, vend pa zënë zhduket si hija.
3 Mbi një qenie të tillë vallë të hapësh sytë, para vetes në gjyq ta ftosh?
4 Kush të pastrin e nxjerr prej të ndyrit? Jo, askush! Kurrën e kurrës!
5 Ditët e tij nëse janë të caktuara, numri i muajve nëse nga ti i varet, nëse i ke vënë cak të pakalueshëm,
6 mos e vërej, por lëre në paqe ta kryejë jetën si meditës!
7 Por ai dhe si lënda mund të shpresojë: nëse pritet, përsëri përtërihet, prapë prej saj pinjollët rriten;
8 nëse nën dhe i kalben rrënjët, në qoftë se trungu i thahet në pluhur,
9 të ndiemen ujin ajo bulëzon e qet degë si rrënjë e re.
10 Vdes njeriu gjithçka i soset: i del fryma, ku është më?
11 Uji i detit do të avullojë, mund të shterrë lumi e të thahet.
12 Më nuk ngjallet njeriu i vdekur, sa të jetë qielli më nuk çohet, më nga gjumi ai nuk zgjohet.
13 Ah sikur të më fshehshe në Sheol, të më mbajshe fshehtë derisa të shkojë hidhërimi e të caktoje një kohë kur të më kujtoje!
14 Vallë i vdekuri përsëri mund të jetojë? Të gjitha ditët e ushtrisë sime do t’i prisja derisa të vijë shndërrimi!
15 Ti do të më thirrje e unë do të përgjigjja, do t’i gëzoheshe veprës së duarve tua.
16 Megjithëse tani m’i njeh gjurmët e mia, porse mëkatet do të m’i falje.
17 Në thes fajet do të m’i vulosje, por fajësinë ti do të ma shlyeje.
18 Si mali që bie, shkatërrohet, si gurit që i ndërrohet vendi,
19 porsi uji që e thërmon gurin, porsi shiu që e gërryen tokën: ashtu i humb shpresën njeriut.
20 Rrah e qet ‑ përgjithmonë zhduket, e shëmton në f’tyrë e tej e flak.
21 Do të nderohen bijtë e tij? ‑ Ai s’e di! Do të përbuzen? ‑ S’ia pret mendja!
22 Ai veç vuan në trupin e vet, i rënkon shpirti për jetën e vet”.