1 Sofar Naamatiti e mori fjalën e tha:
2
”Pse a fjalëshumtit s’duhet t’i përgjigjet?
A me fjalë të shumta, thua, shfajësohet burri?
3 Përrallat tua do të bëjnë të heshtin njerëzit?
Do të përqeshësh e kush s’do të përgjigjet?
4 Ti po thua: ‘Të pastër e kam fjalën,
jam i pastër para syve të tu!’
5 Por, sikur Hyji me ty të bisedonte,
të hapte gojën e ty të kthente përgjegje,
6 t’i zbulonte fshehtësitë e Urtisë,
synimet e pashqyrtueshme të saja,
do të kuptoje se kërkon më pak,
shumë më pak se të meriton e keqja.
7 A mendon se i njeh gjurmët e Hyjit,
se e përshkon përsosmërinë e të Lumit?
8 Është më i lartë se qielli! ‑ Ç’thua atëherë?
Më i thëllë se Nëntoka! Ç’kupton?
9 Më i gjatë se toka, më i gjerë se deti!
10 Nëse shkatërron, kyç o shtrëngon
kush është në gjendje atij t’i bëjë ballë?
11 Pse të njeriut ai kotësinë e njeh,
sheh mbrapështinë edhe nëse nuk shikon.
12 Në hulli sillet edhe njeriu i mbrapshtë,
gomari i egër zotërohet me fré.
13 Edhe ti mendtë mblidhi tok,
drejt Hyjit lartësoji shuplakat,
14 flake të keqen që është në duar të tua,
padrejtësi mos lër në shtëpinë tënde.
15 Atëherë lart do ta mbash ballin,
i qëndrueshem do të jesh dhe pa frikë
16 e mjerimin në harresë do ta qesish;
do të kujtohet si ujërat që shkuan.
17 Mbrëmja jote do të ndritë si mesdita,
kur të shkojë në mend se të mbuloi terri,
për ty drita atëherë do të agojë.
18 Plot shpresë, i sigurtë do të jetosh
dhe i varrosur i qetë do të pushosh.
19 Do të pushosh e askush s’do të të trazojë,
përkrahjen tënde shumëkush do të kërkojë.
20 Kurse sytë do të sharrojnë të mëkatarëve
e për ta kund strehim nuk do të ketë,
t’u dalë shpriti: shpresa e tyre e fundit.”