< 2Mak 15 Jb 2 >
Lexim prej librit të Jobit(Jb 1)
1

1 Na ishte dikur në tokën Hus një burrë që quhej Job. Ishte njeri i patëmeta dhe i drejtë, i cili e kishte frikë Hyjin dhe i shmangej të së keqes.

2 I kishin lindur shtatë djem e tri vajza.

3 Kishte shtatë mijë dele, tri mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomare dhe shumë shërbëtorë. Ishte ky njeri shumë i madh ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.

4 Bijtë e tij e kishin zakon të shkonin me radhë në gostitje te njëri-tjetri dhe çonin e i thirrnin edhe tri motrat për të ngrënë e për të pirë me ta.

5 Si kalonin ditët e gostive, Jobi i thërriste të vinin tek ai për t’i pastruar. Ngrihej heret në mëngjes dhe për secilin kushtonte fli shkrumbimi. Sepse i thoshte mendja: “Ndoshta mund të kenë mëkatuar bijtë e mi dhe e kanë mallkuar Hyjin në zemrat e veta”. Jobi vepronte kështu çdo herë.

6 E një ditë, Bijtë e Hyjit shkuan për t’u paraqitur te Zoti. Bashkë me ta qe edhe Satani.

7 Zoti e pyeti Satanin: “Nga po vjen”? Ky iu përgjigj: “E mora dheun në sy dhe e përshkova skaj më skaj”.

8 Zoti e pyeti: “A mos e pe kund Jobin, shërbëtorin tim? S’e ka shoqin mbi tokë: njeri i patëmeta dhe i drejtë, që e ka frikë Hyjin dhe i shmanget të së keqe”.

9 Por Satani iu përgjigj Hyjit: “Pse a thua Jobi kot e druan Hyjin?!

10 Pse a nuk e ke rrethuar me gardh atë, shtëpinë e tij e gjithçka ështe e tija? Pse a nuk ia ke bekuar çdo ndërmarrje të tij dhe kështu u rrit mbi tokë pasuria e tij.

11 Por sprovo e shtrije njëherë pakësa dorën tënde e preke në gjithçka ka, pale a nuk do të mallkojë në fytyrë!”

12 Hyji iu përgjigj Satanit: “Mirë, pra! Gjithçka është në dorën tënde: por ruaju se vë dorë në të”. Satani u largua nga prania e Zotit.

13 Një ditë, kur bijtë e Jobit po hanin e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të madh,

14 ia behi lajmëtari te Jobi e i tha: “Qetë po lëronin e gomaret po kullotnin afër tyre,

15 kur ja, papritmas u sulën sabenjtë, rrëmbyen qe e gomare, shërbëtorët i prenë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

16 Ndërkohë që ky ende po fliste, erdhi një tjetër e tha: “Zjarri i Hyjit ra prej qiellit, i dogji delet e i përpiu barinjtë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

17 Po edhe ndërsa ky ende po fliste, ia behi një tjetër e tha: “Kaldenjtë u ndanë në tri çeta, i sulmuan devet, i rrëmbyen ato, i prenë barinjtë me shpatë dhe shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm”.

18 Ende ky po fliste, dhe ja, një tjetër hyri e tha: “Ndërsa djemtë e tu e vajzat e tua po hanin bukë e po pinin verë në shtëpinë e vëllait të vet të parëlindur,

19 u sul një stuhi papritmas tejet e fortë nga ana e shkretëtirës dhe i tundi katër këndet e shtëpisë. Shtëpia ra, i shtrydhi fëmijët e tu e mbetën vdekur, e shpëtova vetëm unë që po ta sjell këtë lajm të zi”.

20 Atëherë Jobi u çua në këmbë, i shqeu petkat e veta, e rroi kokën, ra me fytyrë përdhe në adhurim

21 dhe tha:

“Lakuriq dola nga kraharori i nënës

e lakuriq do të kthehem atje.

Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë;

si ka dashur Zoti, ashtu u bë:

qoftë bekur Emri i Zotit”!

22 Në të gjitha këto fatkeqësi Jobi nuk mëkatoi dhe s’e tha me gojën e vet asnjë marrëzirë kundër Hyjit.



Fjala e Zotit