1 Ku e latë, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju!
2 Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja.
3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri! Keni mbledhur visare për ditët e fundit!
4 Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që u korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive!
5 Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndedhët në ëndje të ulëta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes!
6 E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.
Durimi dhe lutja
7 Jini, pra, të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të derisa ta kapë shiu i lashtë dhe i voni.
8 Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua!
9 Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës!
10 Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët që folën në Emër të Zotit.
11 Ja, të lumtur i quajmë ata që qëndruan në duresë. Për duresën e Jobit dëgjuat edhe qëllimin e Hyjit e patë se Zoti është shumë i mëshirshëm dhe i dhimbshëm.
12 Sidomos, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiell as për dhe, as me ndonjë betim tjetër. Po-ja juaj le të jetë »Po« dhe Jo-ja juaj »Jo«, që të mos të dënoheni.
13 Vuan ndoshta ndokush ndër ju? Le të lutet! A është ndokush në gëzim? Le të këndojë himne!
14 Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke e lyer me vaj në emër të Zotit
15 dhe lutja e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtërijë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen.
16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëroheni!
Lutja e të drejtit ka shumë fuqi kur thuhet me gjithë zemër.
17 Elia ishte njeri tamam si ne: u lut me gjithë shpirt të mos bjerë shi dhe mbi tokë nuk ra shi për tri vjet e gjashtë muaj.
18 Dhe përsëri u lut dhe qielli dha shi e toka dha frytin e vet.
19 Vëllezërit e mi, në qoftë se ndonjë prej jush e lë Udhën e së Vërtetës, por nëse ndokush e kthen,
20 le ta dini se kush e kthen mëkatarin prej udhës së gabuar do të (ia) shëlbojë shpirtin nga vdekja dhe do të bëjë të zhduket një shumicë mëkatesh.